Marsela Çibukaj është fituesja e edicionit të 23-të të festivalit “Kënga Magjike” në Tv Klan. Pirro Çako i dorëzoi kupën triumfueses, e cila konkurroi me këngën “I paftuar”.

“Nuk kam fjalë, një emocion i jashtëzakonshëm. Ju falenderoj të gjithëve nga zemra. Falenderoj artistët, jurinë, skenën e Këngës Magjike, që na bën të përjetojmë emocione kaq të forta. Faleminderit të gjithëve ju”, tha artistja mes emocioneve.

Vendi i dytë shkoi për Michela Palucan me këngën “Një Përqafim”, ndërsa në vendin e tretë u rendit Anxhela Peristeri me këngën “Kalimtar”.

Pas 3 mbrëmjesh gare, në skenën e Pallatit të Koncerteve mbrëmjen e kësaj të shtune, në këtë Grand International Final u ngjitën 23 artistë, 13 shqiptarë dhe 10 të huaj.

Veç çmimit të madh u dhanë çmime edhe për muzikën më të mirë shqiptare, të huaj dhe për artistët e rinj më të mirë.

Në këtë mbrëmje finale nuk munguan të ftuarit surprizë, si kryetari i Bashkisë së New York, Eric Adams apo producenti i famshëm amerikan Angelo Doc Velasquez. Ndërsa një performancë speciale përcolli edhe vajza e Ardit Gjebreas, Anna Gjebrea.

“Kënga Magjike 2022”, lista e plotë e fituesve

“Kënga Magjike” në Tv Klan kurorëzoi fituesit e saj të edicionit të 23-të.

Çmimi i madh shkoi për Marsela Çibukaj, e cila konkurroi me këngën “I paftuar”. Këngëtarja fitoi gjithashtu në kategorinë “Big Artist”.

Fituesja e vendit të tretë u shpall Anxhela Peristeri me “Kalimtar”. Një triumf i madh ishte për artisten Michela Paluca, një zbulim i rubrikës “Mam, po ti?” nga “E diela shqiptare”,  e cila fitoi vendin e dytë.

4 kupa të tjera u ndanë për artistët shqiptarë dhe të huaj në kategoritë “Big” dhe “New”.

Marsela Çibukaj – fituesja e “Kënga Magjike 2022”dhe kategorisë “Big Artist”.

Michela Paluca – fituese e vendit të dytë

Anxhela Peristeri – fituese e vendit të tretë

Martin Pano – Best New Artist

Mamagama – Best New International

Le Deva – Big International

Le Deva, grupi energjik i vajzave nga Italia ‘rrëmben’ “Big International”

Jonida Maliqi, artistja shumë dimensionale që është anëtare e jurisë në “Kënga Magjike”, dorëzon për herë të parë çmimin e artistit më të mirë ndërkombëtar. Nderi për të patur kupën e “Big International” i përket kuartetit të vajzave nga Italia, Le Deva.

“Faleminderit shumë, faleminderit për këtë eksperiencë të mrekullueshme këtu në Tiranë. Duam të falenderojmë të gjithë ata që besuan tek ne në Itali”, thanë vajzat mes emocioneve. 

Marsela Çibukaj fiton “Big Artist”

Këtë vit në “Kënga Magjike” në Tv Klan janë shpallur më shumë artistë të kategorisë “Big” se në çdo vit tjetër. Ndaj, gara për çmimin e artistit më të mirë shqiptar është mjaft e fortë edhe për bashkëngjitjen e emrave të rinj.

Për të lajmëruar fituesin e kategorisë “Big Artist”, vjen anëtarja e jurisë Ema Andrea. Çmimi “Big Artist” i akordohet Marsela Çibukajt, e cila konkurroi me këngën “I paftuar”.

“Faleminderit të gjithëve. Jemi mbushur me emocione gjatë këtyre netëve, kjo është një skenë magjike. U munduam së bashku me trupën e baletit e ardhur nga Italia, së bashku me Alban Ramosajn i cili është autori i këngës, orkestrimi i Darko Dimitrov & Marko Polo, që të sillnin pak magji në këtë skenë magjike. Faleminderit të gjithëve ju që na dhuroni po aq magji dhe dashuri”, tha Marsela Çibukaj.

Mamagama, grupi nga Azerbajxhani fiton kupën e “Best New International”

Anëtarja e jurisë së “Kënga Magjike” në Tv Klan e njohur si “zonja e hekurt”, Anxhela Faber dorëzon kupën e artistit të ri më të mirë ndërkombëtar. “Best New International” shkon për grupin Mamagama nga Azerbajxhani.

“Ju falenderoj të gjithëve, faleminderit për energjinë, jam shumë i lumtur”, tha artisti nga Azerbjaxhani.

Martin Pano fiton “Best New Artist” në “Kënga Magjike”

Kozeta Kurti, anëtarja e jurisë së “Kënga Magjike” në Tv Klan prezantoi çmimin për artistin më të mirë të ri. “Best New Artist” i edicionit të 23-të të festivalit është Martin Pano.

“Sinqerisht nuk di çfarë të them. Ju falenderoj të gjithëve. Falenderoj Adrian Hilën dhe Rozana Radin për këtë këngë që më dhuruan. Falenderoj familjen time, ju dua. Kjo është për ju. Falenderoj publikun për duartrokitjet e pafundme dhe jurinë që besuan tek unë”, tha artisti.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, prezantues në Kënga Magjike. Kush do ta kishte imagjinuar!

Djali i kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut është konkurrent në “Kënga Magjike”. Ky detaj, i mbajtur i fshehtë për t’u zbuluar ekskluzivisht mbrëmjen e sotme në ekranin e Tv Klan, u pasua nga një surprizë dhe moment i veçantë. 

Për të parën herë në historinë e festivalit, kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, përveçse del në një videotelefonatë, merr edhe rolin e bashkëprezantuesit. Me shumë emocion, siç mund të ketë një prind, ai prezanton performancën e djalit të tij, Jayoo, i cili konkurron me këngën “Itsy Bitsy”.

Ardit Gjebrea: Zoti Eric, vajza ime këndoi sot dhe e prezantova te publiku, por edhe djali juaj do të këndojë sot. A mund ta prezantoni ju? A mund të jeni bashkëprezantuesi im sot?

Eric Adams: Do të doja shumë, do të më pëlqente shumë.

Ardit Gjebrea: Tashmë do ta prezantojë djalin, do të jetë ai prezantuesi. Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut prezantues te “Kënga Magjike”. Kush do e kishte imagjinuar ndonjëherë? Pra, le të prezantojmë ju lutem.

Eric Adams: Sjell talentin e tij dhe entuziazmin e të rinjve në të gjithë botën, kemi performancën e mrekullueshme, ai beson se është shqiptar tashmë edhe pse është amerikan, ai do ju japë ju një performancë të mrekullueshme. Kështu më tha.

Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut live në “Kënga Magjike”, djali i tij një prej konkurrentëve

Premtimi se “Kënga Magjike” do të sillte surpriza në ekranin e Tv Klan në finalen e madhe, shkoi përtej pritshmërive. Teksa Ardit Gjebrea njoftoi se në sallën e Pallatit të Koncerteve ndodhet kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shtoi se nuk është i vetmi kryetar.

Jehona e “Këngës Magjike” është përhapur deri në SHBA. Vetë “New York Post” i ka dedikuar një artikull festivalit të muzikës për një arsye të fortë. Djali i kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut është konkurrent në kategorinë “Big” të festivalit. Ne e kemi njohur si Jayoo, reperi i pëlqyer shpejt nga publiku shqiptar me këngën “Itsy Bitsy”.

Sonte, vetë kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams në një videothirrje me festivalin, ka disa fjalë dhe jo vetëm, por edhe një veprim domethënës.

Ardit Gjebrea: Mirëmbrëma zoti Eric!

Eric Adams: Si jeni?

Ardit Gjebrea: Mirë, faleminderit. si jeni ju?

Eric Adams: Jam mirë, jam mirë. (Bën shqiponjën me duar).

Ardit Gjebrea: Oh me shqiponjën!

Eric Adams: Jam shumë i lumtur të shoh djalin tim të vijë dhe të performojë aty.

Ardit Gjebrea: Por përpara sot, zoti Eric, për çdo gjë që keni bërë për komunitetin shqiptar në Nju Jork dhe e di që keni bërë shumë prandaj ju falënderoj shumë në emër të të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Nju Jork dhe jo vetëm nga Shqipëria,por nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, faleminderit shumë!

Eric Adams: Ju falënderoj dhe e di që në Nju Jork kemi një komunitet të madh shqiptar, ata kanë qenë gjithmonë mbështetës, më kanë mbështetur mua dhe sot djalin tim, kam edhe gëzimin e një prindi. Dua të falënderoj komunitetin shqiptar për çdo gjë që kanë bërë për këtë qytet të mrekullueshëm që quhet Nju Jork. Janë kaq shumë shqiptarë këtu. Ju falenderoj!

I pranishëm në 4 netët e festivalit, producenti i famshëm amerikan Doc shtyu regjistrimin me Rihanna-n për të qenë në Kënga Magjike!

Gjatë 4 netëve të festivalit Kënga Magjike në sallën e Pallatit të Koncerteve ka qenë edhe një personazh, të cilin në Amerikë çdo artist do ëndërronte ta takonte. Kompozitor dhe autor, producent, i cili kur shkoi në Amerikë nga Porto Rico ishte thjeshtë një emigrant, Angelo Luiz Velasquez.

Sot e gjithë bota artistike e njeh me emrin Doc dhe në New York ai ka studion më të madhe të rëndësishme ku të gjithë presin të regjistrojnë me të. Në studion e tij është prodhuar dhe kënga “Good Morning Gorgeous” me Mary J. Blige e nominuar 3 herë në çmimet Grammy për vitin 2023.

Siç zbuloi edhe vetë Ardit Gjebrea, që të vinte në festivalin Kënga Magjike, Doc shtyu me një javë regjistrimet me artisten që po punon tani për përgatitjen e performancës Super Bowl 2023, Rihanna.

Ardit Gjebrea: E kemi sonte këtu, zonja dhe zotërinj, Mister Doc! Hera e parë në Shqipëri, jeni mësuar me produksione të mëdha, siç ka qenë dhe turneu i fundit botëror i Lady Gaga, me të cilin ju keni qenë. Por kur patë natën e parë të Kënga Magjike, ju thatë: Nuk e prisja. Çfarë prisnit kur erdhët në Shqipëri dhe çfarë gjetët?

Angelo Doc Velasquez: Shumë mbështetje, shumë dashuri. Talentet shqiptare kanë shumë dashuri. Qëkur kam qenë këtu kanë qenë shumë mikpritës. Më kanë trajtuar në mënyrën më të mirë, nga vendet që kam qenë dhe unë kam qenë në shumë vende. E vlerësoj shumë këtë.

Ardit Gjebrea: Një nga shfaqet më të famshme dhe më të rëndësishme në SHBA, është edhe spektakli që bëhet në pushim të ndeshjes, në Super Bowl. Edhe vitin e kaluar ka qenë Doc, i cili e ka përgatitur dhe e ka konceptuar dhe këtë vit përsëri me Rihanna-n, është përsëri Doc i cili po e përgatit. Është ëndrra e çdo këngëtari amerikan që të këndojë në Super Bowl. Çfarë do të thotë të jesh producent i Super Bowl?

Angelo Doc Velasquez: Është bekim, sepse unë erdha nga asgjë dhe të shohësh të gjithë këta njerëz të performojnë. Ata japin pasionin e tyre, unë jap pasionin tim dhe për këtë arsye besoj se shkova kaq larg. Vitin e kaluar bëra Super Bowl me Dr. Dre, Mary J. Blige dhe prandaj këtë vit më thirrën prap të punoj për këtë show. Falenderoj Zotin. Unë po punoja për një këngë për Rihanna, ata më thirrën në telefon dhe më thanë duhet të jesh prezent të dielën. Unë u thashë patjetër, më prisni sa të kthehem ju lutem.

Ardit Gjebrea: Duke parë këtë shfaqje, duke parë Këngën magjike. Doc ti ke thënë që unë do të paguajë shumë në SHBA, vetëm të shikoja disa nga artistët që këndojnë sonte. A keni parë talente në këtë festival?

Angelo Doc Velasquez: Shumica e talenteve që kam parë këtu dhe nuk e prisja diçka të tillë… Të shikosh këto talente që ka këtu, disa njerëz do kisha paguar për t’i parë në Amerikë. Një shfaqje të tillë, do kisha paguar, me talente të tillë. Shumë nga këto talente që pashë kanë pasur një perfomancë më të mirë se ata që unë kam parë live në New York.

Anna Gjebrea performon në “Kënga Magjike”, moderatori: Jam baba i emocionuar

Një moment emocionues ka mbërritur në “Kënga Magjike”. Moderatori i Tv Klan, Ardit Gjebrea ka prezantuar shumë emra të njohur, por këtë herë ishte ndryshe dhe aspak “e thjeshtë”, siç u shpreh ai për të lajmëruar emrin e vajzës së tij që të ngjitej në skenë.

Teksa numëron arsyet e kësaj vështirësie, Gjebrea shpreh krenarinë që Anna ia ka dalë të vijë në Pallatin e Koncerteve për të performuar falë talentit dhe punës, të njohura edhe nga profesionistët e huaj.

Ardit Gjebrea: Nuk është e thjeshtë. E para sepse jam baba i emocionuar si çdo prind për fëmijën. E dyta, sepse nuk kam qenë asnjëherë 100% i bindur nëse do doja që fëmijët e mi të bëheshin artistë.  Dhe e treta, se nuk kam dashur asnjëherë që vajza ime të ishte vajza e Ardit Gjebreas. Por sot nuk e kam ftuar unë në festival. Falë punës dhe konfirmimit nga artisti Luca Tomasini apo koreografi Fabrizio Prolli, Anna Gjebrea vjen vetë sonte në “Kënga Magjike”.

Anna performoi këngët “Stand By You” me të cilën konkurroi në “Eurovision Kids” dhe “Just Dance”, të publikuar dy javë më parë.

“Mami e babi janë betuar që duan të më gjejnë nuse”, gazetarit i vjen Inis Neziri

Gazetarët e “Klan Radio” kanë transmetuar gjithashtu më të rejat e fundit të festivalit  “Kënga Magjike”. Platforma radiofonike e Tv Klan iu ka përcjellë dëgjuesve emocionet e netëve të festivalit, por është bërë ‘shkas’ edhe për të lidhur krushqi. Mamaja e gazetarit Ardit Murataj ka dëgjuar intervistën e tij me këngëtaren Inis Neziri dhe ka shprehur pëlqimin për të.

Ardit Murataj: Mami dhe babi janë betuar që duan të më gjejnë nuse, por duan të ma gjejnë artiste. Mami sidomos njëherë.

Ardit Gjebrea: Shiko, jam i sigurt që do ta ketë emrin Anila.

Ardit Murataj: Në fakt, kishin pëlqyer Inisin se natën e parë e dëgjuan me Inisin, e dëgjoi mami dhe tha “Çfarë goce e mirë! Po çfarë kimie që kishit!”

Ardit Gjebrea: Inis, të lutem vjen një sekondë se ne live jemi dhe mua më pëlqejnë këto gjëra. Eja Inis. Shko pranë dhëndrit.

Inis Neziri: Përshëndetje!

Ardit Gjebrea: Përshëndetje! E  dëgjove çfarë tha Arditi?

Ardit Murataj: Inis, përshëndete pak mamin.

Inis Neziri: Përshëndetje zemra ime!

Ardit Murataj: Ma, të do Inisi. Hajde ikim.

Ardit Gjebrea: Zakonisht kështu i thonë vjehrrave, mami. Se nuk dëgjoi Inisi se çfarë u bë. S’ka gjë se e bëjmë një krushqi, vetëm një palë këpucë duam.

Ardit Murataj: Një gjë të vogël. Jo, po thoja unë që dëgjoi mami për herë të parë intervistën tonë.

Inis Neziri: Po.

Ardit Murataj: Të pëlqeu shumë.

Inis Neziri: Me të vërtetë? Të fala mamit.

Ardit Murataj: Faleminderit! Po babit që të pëlqeu më shumë?

Inis Neziri: Babin e rregulloj vetë.

Intervista më e dëgjuar në “Klan Radio”, bëjnë me dije dy gazetarët, ishte ajo e producentit amerikan Angelo Doc Velasquez. Rrjetet sociale  dhe në profilin zyrtar të Instagramit kanë vërshuar mesazhet për të, veçanërisht për thjeshtësinë e tij ndonëse ka prodhuar një album për Mary J. Blige apo nominimeve e arritjeve në karrierë.

Votimi fillon tani! Finalja e madhe e Kënga Magjike, hapet televotimi

Finalja e madhe e festivalit Kënga Magjike, Grand International Final ka nisur tashmë në ekranin e Tv Klan. E bashkë me këtë mbrëmje magjike nga Pallati i Koncerteve, është hapur edhe votimi për teleshikuesit.

Për të votuar këngën tuaj të preferuar mjafton të dërgoni një mesazh me kodin 2 shifror të artistit në numrin e telefonit 068 4 800 800.

Eva Murati: Duke respektuar padurimin e telespektatorëve ne kemi vendosur në fakt të votojmë që në fillim të festivalit.

Olta Beqiri: Duke ditur që qindra vota në natën e parë dhe të dytë kanë shkuar dëm…

Eva Murati: Vendosëm që sonte mbrëmjen ta nisim pikërisht me votimin e publikut.

Ardit Gjebrea: Tashmë i kemi kodet e kësaj finaleje të madhe, prej ku ju mund të votoni menjëherë. E meqë padurimi i këtij edicioni është më i padurueshme ndonjëherë, votimi fillon tani!

Eva Murati: E kemi dhe një numër 068 4 800 800 ku mund të dërgoni vetëm kodin dy shifror të artistit, jo emrin e tij, në mënyrë që vota juaj të regjistrohet.

Për të votuar këngën tuaj të preferuar, kodet e artistëve i gjeni në videon më poshtë.

“Kënga Magjike tashmë nuk njeh kufi”, Gjebrea emocionohet për 13 shtetet pjesëmarrëse

Ndërsa hyri në skenën e Pallatit të Koncerteve për të filluar prezantimin e performancave të “Kënga Magjike”, moderatori Ardit Gjebrea nuk i fshehu dot emocionet. Përkundrazi, ai i ndau me publikun në sallë si dhe me çdo telespektator të Tv Klan. Me shumë krenari, moderatori shprehu përmbushjen e ëndrrës për ta kthyer “Kënga Magjike” në një festival pa kufi, që këtë vit mirëpriti 13 shtete. Për herë të parë në 23 vjet, Gjebrea përshëndeti publikun për të katërtën natë radhazi.

Ardit Gjebrea: Sonte jam i emocionuar si në ditën e parë të shkollës, si  para provimeve të pjekurisë, si para çdo prove mbushur me dyshim në përvojën time  shumëvjeçare dhe e gjitha kjo se është përmbushur një ëndërr. “Kënga Magjike” tashmë nuk njeh kufi. E nisëm dy vite më parë si një eksperiment dhe ja ku mbërritëm në këtë edicion me pjesëmarrjen e 13 shteteve. Askush nuk e besonte se ky festival do të rritej kaq shumë sa nuk do të mjaftonin tri netët tradicionale, ndaj zonja dhe zotërinj, për herë të parë në historinë 23-vjeçare të festivalit “Kënga Magjike”, mirëmbrëma për të katërtën natë.

Momentet prekëse para performancës, artistët e “Kënga Magjike” telefonojnë nënat e tyre

“Kënga Magjike” nisi me emocione të forta në ekranin e Tv Klan. Këngëtarët e mbledhur në Hollin  e Artistëve kanë komunikuar me nënat e tyre duke marrë bekimet e shenjta para se të performojnë.

Urime, inkurajime, këshilla në të gjitha gjuhët, por e njëjta fjalë, e shqiptuar “mami”, u përcollën përmes kamerave të celularëve.

Momente krenarie, përlotjeje dhe premtime nënash se do t’i shohin nga ekrani i madh për t’i mbështetur, edhe njëherë duke treguar se lidhja me personat që i kanë sjellë në jetë shkon përtej artit dhe para tyre janë fëmijë e jo yjet e skenës.

REDAKSIA TVKLAN.AL