Nis operacioni për largimin e armëve kimike siriane

BBCSasia e parë e arsenalit kimik sirian është ngarkuar në anijen e transportit daneze “Ark Futura” në portin e Latakias.

Disa kontenierë të blinduar rusë u përdorën për transportin e kësaj sasie nga vend-ruajtjet e tyre, në brendësi të territorit sirian deri në brigjet e Mesdheut.

Në një komunikatë për shtyp, Kombet e Bashkuara thanë se për arsye sigurie kjo anije do të qëndrojë në ujrat ndërkombëtare, pasi në orët në vijim pritet të ngarkohet një tjetër sasi e këtij arsenali.

Në komunikatë nuk përcaktohet as lloji i materialit dhe as sasia e tij.

Anija do të shoqërohet nën masa ekstreme sigurie përgjatë udhëtimit të saj drejt Italisë, nga një flotilje ushtarake e përbërë nga një fregatë daneze, një norvegjeze, një ruse dhe një kineze. I gjithë operacioni zhvillohet nën mbikqyrjen e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, në bashkëpunim edhe me specialistë të OKB. Edhe pse me 7 ditë vonesë nga plani fillestar i miratuar që në nëntor të vitit të shkuar, operacioni delikat duket se ka hyrë në rrjedhën e tij normale.