Lajme Arkiva – TV Klan 2002

Prefektura e Durrësit, së bashku me 6 firma private ndërtimi kanë filluar pastrimin e shëtitores “Taulantia”, nga mbeturinat e aksionit anti-kioskë, i zhvilluar në këtë zonë. Sipas prefektit të këtij qyteti, Gëzim Agasi, aksioni nuk mund të shtyhej më gjatë.

Gëzim Agasi:- “Të gjithë firmat u treguan të gatshëm dhe siç e shihni dhe sot, ato kanë filluar nga puna për të bërë një pastrim të kësaj shëtitore. Natyrisht kjo shëtitore është e të gjithëve, e gjithë e jona dhe firmat e ndërtimit u treguan të gjithë të gatshëm për të bërë aksionin, për ta pastruar. Me përfundimin e prishjes së këtyre objekteve nga policia e ndërtimit”.

Pas vendimit të KRRTRSH, për shembjen e ndërtimeve pa leje në zonën bregdetare, në shëtitoren “Taulantia” të qytetit të Durrësit, u prishën rreth 90 objekte të paligjshme, ku fadromat e policisë ndërtimore punuan për 10 ditë. Më pas çdo gjë u la pezull pasi bashkia nuk mori asnjë masë nga ana e saj për pastrimin e zonës. Një pjesë e mbeturinave u hoq nga një pjesë e portit detar, i cili pastroi lulishtet para hyrjes së tij./tvklan.al