“Shena Ndou” bashkon shqiptarët e të gjitha feve
“Nga kjo e martë ka nisur pelegrinazhi 13 javor në kishën mrekullibërëse të Shën Andonit në qytetin e Laçit. Me qindra besimtarë do t’i drejtohen çdo të martë këtij vendi të shenjtë për tu lutur për paqe, harmoni dhe begati në familjet e tyre”, raportoi gazetari Martin Marku.
Nuk ka rëndësi nëse je i krishterë apo myslimanë. Ky vend i mbledh të gjithë, pavarësisht besimit që kanë.
Ajo që i bashkon këta vizitorë është mrekullia e Kishës së Laçit, ku të gjithë nxitojnë ta vizitojnë e të bëjnë lutje në këto 13 të marta pelegrinazhi.
Ka nga ata që janë dëshmitarë të mrekullive që u kanë ndodhur në familje.
“I lutem Zotit, Shna Ndoit me na ndihmu, se bën mrekulli. Kam pas grunë e axhës që ka qenë e paralizume dhe është shnosh.”
Të tjerë besojnë fort se edhe ata do të përjetojnë mrekullinë e radhës.
“Ne vijmë nga Shkodra. Shumë mrekulli të mëdha janë bërë këtu, ishalla i ndihmon Zoti të tërë”.
“Është një vend i bekuar, ne jemi të bekuar që kemi lindur në rritur në Laç.”
Por ka edhe nga qytetarë, të cilët ndonëse janë në orar pune dhe i përkasin një tjetër besimi se fshehin dëshirën për të besuar në mrekullitë e Shna Ndout.
“Punoj taksi, jam nga Hasi sjell njerëz, përderisa besojnë ata, besoj edhe unë”.
Ndjekja e tre të martave konsiderohet ogur i mirë për ata që vizitojnë këtë kishë.
Pas pelegrinazhit të kryer për 12 të marta rresht, vizitorët grumbullohen në këtë vend të shenjtë për të kaluar natën mes 12 dhe 13 Qershorit, datë që shënon edhe festën në përkujtim të Shenjtit Andon.
Tv Klan