Lame: Hapet rruga për investime të mëdha në turizëm

Ka nisur pas më shumë se dy dekadash procesi i regjistrimit të pronave në bregdetin e Jugut. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, nis këtë hënë regjistrimin e pronave në Palasë, Dhërmi, Vuno, Lukovë, Gjilekë, Ilias, Himarë dhe Nivicë.

“Përgjatë 26 viteve që funksionon procesi i regjistrimit fillestar, ky proces ka filluar dy herë dhe pastaj është braktisur pa u përfunduar. I premtojmë të gjithë banorëve të këtyre zonave, se kësaj radhe shteti shqiptar do ta çojë deri në fund këtë proces”, deklaroi kreu i Kadastrës Artan Lame.

Hipotekimi i pronave do të bëhet në të gjitha proceset e njohjes së tokës dhe pasurisë së patundshme, që nga tokat e përfituara me ligjin 7501, të cilat kanë akte të marrjes së tokës në pronësi, shtëpitë e vjetra tradicionale, objekte në proces legalizimi, prona të vjetra dhe objekte të privatizuara, por dhe regjistrim i pasurive shtetërore, prona publike, kullota, pyje etj.

“I gjithë procesi i regjistrimit, do të kryhet dhe monitorohet nga ekipet tona të dërguara nga Tirana. E bëjmë këtë edhe për shkak të ekspertizës më të mirë e cila është e grumbulluar pikërisht pranë Drejtorisë së Përgjithshme këtu në Tiranë, por edhe për shkak të shmangies së konfliktit të interesit midis punonjësve lokalë”.

Artan Lame kërkoi besim dhe bashkëpunim nga banorët e zonave për të ofruar dhe plotësuar dokumentacionin që kërkohet. Procesi do të zgjasë disa muaj, dhe kështu do të krijohet mundësia për investime serioze në zonën e Jugut të vendit.

“Pas përmbylljes së këtij procesi që do të zgjasë disa muaj, në bregdetin e Jugut do të krijohet mundësia për investime të ligjshme, që nga ai pronari që do të hapë një dy apo tre dhoma për turistët pranë shtëpisë së tij, e deri tek komplekset dhe hotelet turistike të mëdha”.

Në total procesi do të trajtojë 16.500 pasuri private, 5200 prona shtetërore dhe pritet që afërsisht 8000 banorë të këtyre zonave, rezidentë apo emigrantë të kenë certifikatën e pasurisë së pronës së tyre.

Tv Klan