Rama: Të dielën marrin dozat personalitete mbi 80 vjeç  

Pas Tiranës dhe Shkodrës, procesi i vaksinimit u shtri këtë të enjte edhe për stafet mjekësore në qytetin e Vlorës. Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësinë ndoqën nga afër mbarëvajtjen e tij, teksa bënë të ditur se përgjatë 2 ditëve të fundit dozën e parë antiCovid e morën rreth 600 mjekë dhe infermierë.

“Sot nisim vaksinimin ne qytetin e Vlorës. Çdo ditë është planifikuar të vaksinohen 150 deri 200 bluza të bardha, ndërkohë që një pikë të vaksinimit e kemi edhe Gjirokastër për shkak të largësisë”.

Teksa bëri të ditur se kur do të mbërrijnë dozat e tjera të vaksinës, Kryeministri Rama tha se procesi do të shtrihet edhe në kategorinë mbi 80 vjeç.

“Të dielën do të fillojmë me personaliteti 80 e lart që do të vaksinohen për të filluar më ketë kategori. Brenda muajit Mars do të kemi edhe 40 000 dozat e Pfizer-it”.

Kryeministri iu përgjigj edhe deklaratave të Presidentit të Republikës se situata me pandeminë në Shqipëri po shkon drejt katastrofës.

“Presidenti ka kohë që s’është më President, por shpërdorues i funksionit të Presidentit në funksion të ndërmarrjes që drejtohet nga e shoqja. Vjen në Vlorë natën fshehurazi, shkon lart e poshtë, natën, shfaqet në makina pa protokollin përkatës, takon njerëz, por me sa duket jo dhe aq shumë dhe i duket e zbrazur Shqipëria se tani njerëzit s’besojnë më tek LSI”.

Procesi i vaksinimit në Vlorë pati edhe një moment shqetësimi pasi kryevaksinuesi humbi ndjenjat dhe u transportua drejt Spitalit të qytetit.

Përveç Vlorës që përfshin edhe spitalet bashkiake, një pikë tjetër e vaksinimit do të vendoset edhe në Gjirokastër.

Tv Klan