9 shkolla të kryeqytetit nuk hapin dyert

Në Bashkitë e Tiranës, Durrësit, Vorës dhe Laçit rifilloi mësimin këtë të hënë. Dy javë pas ndërprerjes së procesit mësimor ka filluar mësimi edhe në qarkun e Tiranës.

Nxënësit janë ulur në bankat e shkollës, por më shumë sesa një proces i rregullt mësimor, ata kanë mësuar se si duhet të veprojnë në rast tërmeti, madje edhe janë argëtuar gjatë orëve të mësimit.

“Mësuam për tërmetin dhe u kënaqëm, dëgjuam muzikë, takuam shokët”.

Nga 42 mijë nxënës që ka Qarku i Tiranës, rreth 6 mijë janë transferuar në shkolla pritëse, pasi shkollat e tyre kanë pësuar dëmtime nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Janë nëntë shkolla 9-vjeçare dhe të mesme që kanë pësuar dëmtime, për të cilat është vendosur shiriti dhe nuk lejohet zhvillimi i mësimit.

Ndërsa në të gjitha shkollat ku është zhvilluar mësim, Ministria e Arsimit ka marrë akt-ekspertizën dhe certifikimin e godinës për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e saj.

Tv Klan