Fondacioni Mane, në bashkëpunim me Fundjavë Ndryshe, ka prezantuar projektin më të ri, me në fokus pajisjen e të gjithë personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë në Shqipëri me karrige me rrota. 

Projekti u prezantua në pallatin e sporteve “Asllan Rusi” në Tiranë dhe inicioi me shpërndarjen e 260 karrigeve me rrota për ata që kishin nevojë. Për personat paraplegjike dhe tetraplegjikë që nuk mundën të ishin të pranishëm, karriget me rrota do t’iu shpërndahen nëpër shtëpi, duke siguruar që askush të mos mbetet pa mbështetje.

Samir Mane, themeluesi i Fondacionit Mane, u shpreh i vendosur në angazhimin e tij që çdo person paraplegjike dhe tetraplegjik në Shqipëri të ketë mundësinë të ketë një karrige me rrota.

“Kemi sjellë 1 mijë karroca që do të shpërndahen duke filluar nga sot, por jam i sigurt që ky është vetëm hapi i parë. Kam marrë një angazhim me Arbrin që do të sigurojmë gjithçka që është e nevojshme, që askush në Republikën e Shqipërisë të mos mbetet pa një karrocë”, tha Mane.

Arbër Hajdari, Drejtori i Fondacionit Fundjavë Ndryshe, konfirmoi angazhimin e përbashkët për realizimin e këtij premtimi.

“Ne, nëpërmjet kësaj nisme, së bashku me Fondacionin Mane, do të shkojmë derë më derë, në çdo cep të Shqipërisë, atje ku ka njerëz që vuajnë për një karrocë; atje ku na kanë shkruar dhe presin që ne të trokasim në dyert e tyre”, tha Hajdari.

Për zhvillimin e projektit, Fondacioni Mane do të bashkëpunojë edhe me Shoqatën Invalidë Para dhe Tetraplegjikë të Shqipërisë, e Shërbimin Social Shtetëror.

Projekti vjen si një shenjë e angazhimit të pandërprerë të Fondacionit Mane për të përmirësuar jetën e individëve që përballen me vështirësi, duke iu ofruar mundësi të barabarta dhe duke i mundësuar ata të jetojnë me dinjitet.

Tv Klan