Të mërkurën tubimi i radhës

18:57-Përfundoi pas rreth 2 orë e gjysmë protesta e organizuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Tubimi u zhvillua përgjithësisht i qetë, ndërsa vetëm në disa momente pati tension mes protestuesve si dhe u hodhën edhe kapsolla.

Në këtë protestë mbajtën fjalim aktivistë dhe artistë. Ata bënë thirrje që të shpërndahet parlamenti dhe se nuk kanë asnjë interes politik.

Në fund, regjisori Robert Budina njoftoi se protesta e radhës do të mbahet të mërkurën.

“Meqë nesër është një natë e madhe për komunitetin mysliman shihemi të mërkurën në orën 17:30. Rroftë Shqipëria”, tha Budina.

18:54-Protestuesit mbajnë një minutë heshtje për të reflektuar. E gjithë skena u shoqërua më pas me thirrjet “Rroftë teatri”, “Rroftë demokracia”.

18:50-Regjisori dhe aktori Edmond Budina gjatë fjalës së tij në protestën e së hënës kundër prishjes së teatrit tha se Presidenti Ilir Meta duhet që të shpërndajë parlamentin. Ai kërkoi gjithashtu që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të largohet.

“Presidenti duhet të kërkojë shpërndarjen e parlamentit. Ne jemi këtu për të mos u bindur për të vazhduar deri në fund për rrëzimin e qeverisë kriminale. Kërkojmë largimin e menjëhershëm të Kryetarit të Bashkisë, këtij krimineli.  Sepse krimi kundrejt kulturës është një nga krimet më të mëdha sepse ke vrarë shpirtin e një populli”, tha Budina, i cili u shpreh më tej se duhet të vazhdojnë protestat.

18:45-Herë pas here gjatë protestës kundër prishjes së teatrit ka pasur tensione mes protestuesve. Më i fundit ndodhi gjatë kohës që po fliste regjisori Edmond Budina. Ai theksoi se mes protestuesve ka provokatorë që duan t’i përçajnë.

“Vëllezër dhe motra. Këtu na kanë futur edhe sabotatorë. Duhet të jemi të gjithë të bashkuar që të mos e lejojmë këtë dhunë të atyre njerëzve. Provokatorët duan të na përçajnë”, tha Budina.

18:31-Protestuesit i janë drejtuar punonjësve të policisë me thirrjen “Hiqni kapelet”.

18:10-Ish-kryeministri Sali Berisha ishte i pranishëm në protestën e organizuar nga aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Gjatë një prononcimi për mediat ai tha se “diktatura përmbyset me mosbindje civile”.

“Kemi një diktaturë dhe duhet ta përmbysim sa më parë me mosbindje civile. Kudo që janë njerëzit duhet të ngrihen në mosbindje civile”, tha Berisha.

18:00-Artistët dhe aktivistët që folën gjatë protestës bënë thirrje që të lirohen kolegët e tyre të cilët u arrestuan të dielën pas përplasjeve me Policinë e Shtetit.

17:55-Tensione gjatë kohës që flisnin artistët. Në drejtim të forcave të policisë janë hedhur kapsolla. Pjesëmarrësit në tubim kanë larguar nga protesta një person, i cili sipas tyre po provokonte të tjerët për të tensionuar situatën. Menjëherë pas largimit të tij, situata u qetësua.

Protestuesit largojnë nga protesta një person

17:40-Edhe pse nuk ishte pjesëmarrës në protestë, Presidenti Ilir Meta ishte aktiv në rrjetet sociale. Ai shpërndau një foto nga disa të rinj në protestë ndërsa shprehej: Rinia e Shqipërisë, pasuria jonë më e madhe! Mos u provokoni nga Talebanët! Demokracia do Triumfojë! Me qetësi dhe dashuri për Shqipërinë!

17:38-Aktorja Juli Emiri tha: Kjo ishte tentativë për vrasjeje. Nuk di çfarë të them për këtë. Kur isha në tarracë aty kanë dalë shokë të mi. E dini çfarë tregon ardhja e tyre në këtë mënyrë. Kjo tregon frikë. Me shembjen e mureve kujtuan se do vrisnin shpresën, kujtuan se do vrisnin kokën e qytetarisë, kujtuan se do vrisnin të ardhmen, kujtuan se do vrisnin qytetarinë. E dini çfarë është varrosur nën ato rrënoja përveç garderobës, aty keni varrosur frikën e qytetarëve. Na keni bërë një nder sepse njeriu kur nuk ka frikë aty fillon liria.

17:28-Gjatë fjalës së tij, aktori Neritan Liçaj, i cili ditën e dielë edhe u ndalua nga policia tha: Në atë skenë krimi ka mbetur një pjesë e imja. U përpoqën të na vrisnin shpresën, por ajo nuk vritet. Kemi treguar me gjithë këtë rezistencë të gjatë, të bukur për t’u jetuar, shumë të vështirë, jua kemi treguar që nuk na kontrolloni dot.

17:16-Gjatë momentit që regjisori Robert Budina po mbante një fjalim është shënuar një tension mes protestuesve.

Kjo bëri që regjisori Budina të thoshte se protesta nuk është bërë për asnjë parti, ndërsa aktivistët në mbrojtje të teatrit  nuk kërkojnë asnjë protagonizëm politik.

“Kjo është lojë e pushtetit për të treguar që  nuk bëhemi dot. Nuk jemi për asnjë parti. Të dashur qytetarë, aktivistët nuk kanë ardhur këtu për protagonizëm politik. Nuk kemi asnjë interes”, tha Budina.

Budina tha se aktivistët kanë komunikuar me faktorin ndërkombëtar ndërsa i bëri thirrjeve autoriteteve të hetojnë pasi sipas tij prishja e godinës ishte një tentativë vrasjeje për artistët që ishin në ambientet e Teatrit Kombëtar.

“Ftojmë Prokurorinë, ftojmë qeverinë, ftojmë KM, ftojmë Ministrinë e Brendshme, opozitën, prokurorët e SPAK-ut, që ishte një tentativë vrasjeje për artistët që ishin në TK. Sot kemi komunikuar me faktorin ndërkombëtar dhe duam që të zbardhet kjo ngjarje dhe pse u sulmua kultura në këtë ditë gjatë kohës së pandemisë. Deri më tani kemi marrë një mbështetje dhe do donim që ngjarja  të zbardhej. Prishja e godinës solli në pah të gjitha problemet e demokracisë shqiptare”, tha ai.  

17:10- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha del nga selia dhe i bashkohet protestuesve.

Lulzim Basha në protestë

17:02-Pas nisjes së protestës së artistëve kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, përmes një postimi në rrjetet sociale, Presidenti Ilir Meta ka deklaruar se mbështet një hetim ndërkombëtar për mënyrën se si u shkatërruar Teatri Kombëtar.

Mbështes fuqimisht një hetim ndërkombëtar për shkatërrimin antikushtetues, të paligjshëm dhe në mënyrën më antieuropiane të Teatrit Kombëtar. Gati të bashkëpunoj me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, si dhe me çdo institucion europian dhe ndërkombëtar për Kulturën. Europa dhe bota demokratike po e kupton edhe me qartë se ç’po ndodh këtu. Mos iu përgjigjni dhunës me dhunë, por me besim te demokracia dhe triumfi i saj mbi talebanizmin dhe oligarkinë”, tha Meta.

16:30-Ashtu siç kishin paralajmëruar aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit u mblodhën para Ministrisë së Brendshme për të protestuar kundër prishjes së Teatrit Kombëtar.

Protestës së tyre i është bashkuar opozita, por edhe artistë e qytetarë të ndryshëm.

Pak para nisjes së protestës, Presidenti i Republikës, Ilir Meta u takua me ambasadorët e 4 vendeve të grupit të Vishegradit. Gjatë takimit me ambasadorët e Çekisë, Polonisë, Hungarisë dhe Sllovakisë Meta tha se u ka shprehur shqetësimin se provokimet dhe acarimi i klimës politike nuk i shërbejnë avancimit të perspektivës evropiane të vendit.

Tubimi i artistëve dhe opozitës zhvillohet pas prishjes së godinën së Teatrit Kombëtar të dielën dhe përplasjeve mes aktivistëve me forcat e policisë.

Më herët reagoi zëdhënësja e KE-së në lidhje me këtë ngjarje. KE shprehu keqardhjen që nga institucionet nuk u ndoq thirrja e BE-së për dialog mes autoriteteve dhe shoqërisë civile.

Ndër të tjera, KE bëri thirrje që palët të tregojnë përmbajtje dhe të shmanget një përshkallëzim i situatës.

Pak para tubimit reagoi edhe ish-Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai dënoi shembjen e Teatrit Kombëtar.

“Dënoj shembjen e teatrit kombëtar në Tiranë të dielën që shkon kundër vlerave europiane siç janë ruajtja e trashëgimisë kulturore, dialogu dhe fuqia e ligjit”, shkruante ai.

Ndërkohë më herët është mësuar se për këtë tubim janë angazhuar rreth 1 mijë efektivë të forcave të policisë.

Inspektorati për Mbrojtjen e Territorit shembi godinën e Teatrit Kombëtar mëngjesin e së dielës. Shembja erdhi pas dy vitesh rezistencë nga aktivistët për mbrojtjen e teatrit.

Prishja e godinës u shoqërua me tensione mes aktivistëve për mbrojtjen e teatrit dhe forcave të policisë.

Në lidhje me këtë ngjarje policia e kryeqytetit tha se u shoqëruan gjithsej 64 persona, 7 prej të cilëve janë vënë në pranga për kundërshtim me dhunë të punonjësve të rendit dhe tubim të paligjshëm. 21 të tjerë do të procedohen në gjendje të lirë. Si pasojë e përplasjes, 7 efektivë kanë mbetur të plagosur nga hedhja e sendeve të forta, por pas ndihmës së parë mjekësore janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Kujtojmë që qeveria vendosi fillimin e këtij Majit kalimin e pronësisë së truallit të Teatrit Kombëtar drejt Bashkisë së Tiranës. Më vonë, ishte Këshilli Bashkiak i Tiranës që vendosi për shembjen e godinës./tvklan.al