E shumë premtuar në shumë fushata, ka nisur këtë vit me fondet e buxhetit të shtetit puna për rrugën kryesore në bashkinë e Maliqit. Fondi që i është dhënë pushtetit lokal për këtë investim është 1.6 miliardë lekë për një gjatësi rruge 2.5 km, nga të cilat 1.1 rrugë e re. Kryeministri Rama dhe ish-ministri Peleshi inspektuan punimet që pritet të përfundojnë në Qershor.

Një tjetër investim nga buxheti ne këtë qark është dhe ndërtesa e re e Bashkisë së Korçës, me një fond prej 144 milionë lekësh. Sipas kryeministrit kjo godinë përfaqëson modelin e parë në Shqipëri të Bashkisë së hapur për qytetaret.

Këtë të diel kryeministri Rama u ndal edhe në Ersekë, ku pa nga afër punimet për ujësjellësin e ri, që sapo kanë nisur me një investim rreth 430 milionë lekësh.

Është kurorëzimi i një pune jo të lehtë. Kemi marrë kohën për projektin, për financimin, për garën, për kontratën dhe tani garantimi i ujit 24 orë, plus me rrjedhje të lirë, që do të thotë shpenzime shumë të arsyeshme për ujësjellësin dhe mungesë nevoje për të rënduar më shumë qytetarët për faturën, besoj që është një lajm shumë i mirë. I kombinuar me rrugën që tani është plotësuar në gjysmën e saj dhe me segmentin tjetër që do ta kryejmë edhe atë, na japin mundësinë që pastaj gjithë këtë bukuri e gjithë këtë potencial ta vëmë në dispozicion edhe të atyre që duan të investojnë sidomos në agroturizëm.

Sipas inxhinierëve, ky investim është parashikuar për 7 000 banorët e Ersekës dhe një afat 25-vjeçar.

Tv Klan