Veliaj: Investimet, për të pritur evente si Sunny Hill Festival

Nis puna për transformimin e parkut të dytë më të madh të Tiranës, atij të Liqenit të Farkës. Sipas kryebashkiakut Erion Veliaj, kjo hapësirë është një mushkëri e dytë për kryeqytetin.

“E gjithë Farka është kthyer në një kantier këto kohë. E di që një kantier i ka lanë stafetën një kantieri tjetër, por më vjen mirë që mbajtëm premtimin për ekipin e volejbollit.  Roli i Bashkisë është që të bëjë një investim dhe të ndërtojë një infrastrukturë që të gjithë i bën të ndjehen të barabartë. Nuk ka rëndësi nëse dikush vjen nga fshati apo nga qyteti, nëse dikush është i pasur apo me ndihmë sociale, kur vjen në një hapësirë publike ndjehet i barabartë me të tjerët, ashtu siç në fakt kemi bërë edhe me Parkun e Liqenit”.

Teksa u ndal tek eventi Sunny Hill Festival, Veliaj tha se nuk mund ta imagjinonte vetëm pak vite më parë që në Liqenin e Tiranës do zhvillohej një event i përmasave të  tilla.

“Sot jemi në të njëjtën situatë ku ne duam të ndërtojmë jo vetëm për 20 vitet e ardhshme, por ndoshta për 100 vitet e ardhshme e ku secili ka diçka për të bërë: Kush është i ri do të shkojë tek “Sunny Hill”; Kush është me fëmijë do të shkojë tek këndi i lodrave; Kush është i moshuar do luajë një domino dhe kush ka dalë për të pirë një kafe me familjen e vet të ketë mundësi ta ketë këtë shërbim. Të njëjtën gjë duam të bëjmë në Farkë”.

Në projektin e ri të Liqenit të Farkës janë parashikuar dhe disa ndërhyrje si pedonalja, këndi i lojërave, aktiviteteve për fëmijët e grupmoshave nga 1 deri në 14 vjeç, si dhe zonë pikniku në të gjithë ambientin rrethues, zona e amfiteatrit, molet, platformat lundruese dhe zona e peshkimit.

Tv Klan