Nis punën Komisioni i Vlerësimit në PD


Nis punën Komisioni i Vlerësimit në PD

16:13 04/08/2020

Ruli: Kam qenë kritik, por partia ka ndryshuar

Për një nga zërat më kritikë në radhët e demokratëve, që u emërua anëtar i Komisionit të Vlerësimit të kandidatëve për deputetë, ish- ministrin Genc Ruli, procesi  i përzgjedhjes së kandidatëve përmes parimit “një anëtar një votë” flet për hapje e pjekuri të Partisë Demokratike nga lidershipi Basha.

Edhe pas takimit që pati me Lulzim Bashen, Ruli foli për maturi në përzgjedhjen e ekipit të ri.

 “Po t’i shohësh janë gjenerata të ndryshme të historisë politike të PD-së, që nga ata që janë themelues, nga ata që kanë aktivizim të mëvonshëm, por deri në nivelet më të larta të Partisë apo të shtetit dhe prurje më të reja në politikë. Jam një njeri që kam pasur tre vjet më parë qëndrime mjaft kritike ndaj lidershipit dhe z. Basha, për arsye se i gjykoja ndryshe proceset se si duhej të ishin zhvilluar proceset në atë kohë dhe besoj që edhe kjo ftesë që m’u bë mua, një nga njerëzit kritikë, është pikërisht shenjë e pjekurisë dhe mendjehapjes së PD-së sot. Sot, kam bindjen e plotë se me veprimtarinë e PD-së, sidomos në dy vitet e fundit unë jam plotësisht dakord me çdo aksion politik të saj.”

Besnik Mustafaj e cilësoi risi në historinë politike procesin dhe tha se shpreson të dalë faqebardhë nga detyra që i besuan.

 “Ka një prurje jashtëzakonisht të pasur, çka tregon se propozimet e demokratëve në të gjithë Shqipërinë kanë qenë serioze. unë shpresoj që, në fund të këtij procesi, të dal i paturpëruar, sepse është detyra më e vështirë, më delikate dhe më komplekse që kam marrë ndonjëherë përsipër.”

Pas takimit edhe Lulzim Basha e cilësoi epokë të re në demokratizimin e partive politike përzgjedhjen e kandidaturave sipas ketij modeli. Basha u shpreh se me emrat më të mirë dhe  programin shpresëdhënës, Partia Demokratike tashmë ka ndezur motorët e fushatës për një rrotacion të pashmangshëm politik.

Tv Klan




Të ngjashme