Pas dy javësh hapet një tjetër tunel për makinat që vijnë nga Durrësi

“Prej disa orësh tuneli i parë i Sheshit “Shqiponja” është hapur për qarkullimin e automjeteve. Tashmë të gjitha makinat që udhëtojnë nga kryeqyteti në drejtim të Durrësit mund të zgjedhin të kalojnë nga tuneli ose përmes devijimit të Laprakës.”

Hapja e tunelit numër 4 shfryn trafikun e makinave që lënë Tiranën, duke bërë që ato të kenë dy alternativa për kalimin në drejtim të autostradës. Të gjitha këto spostime janë të përkohshme dhe ndihmojnë në realizimin e punimeve për përfundimin e nënkalimit.

Edhe pse ishte lajmëruar që në këtë datë të bëhej i kalueshëm edhe tuneli numër 3, moti i keq bëri që plani për hapjen e tij i cili të shtyhet për në fund të muajit. Ky tunel është i rëndësishëm pasi do të japë akses mjetet që vijnë nga Durrësi për të hyrë në kryeqytet.

“Faza tjetër është hapja e tunelit tjetër për makinat që vijnë nga Durrësi në Tiranë nga tuneli 3.”

Pas 1 jave, Autoriteti Rrugor do të bëjë të aksesueshëm këtë segment, i cili ndodhet në fazën e asfaltimit, në mënyrë që një pjesë e trafikut që del nga Astiri për të shkuar në Sheshin Shqiponja të kalojë në drejtim të Zogut të Zi, ose të lerë kryeqytetin duke patur akses në një nga tunelet.

“Faza tjetër do të jetë futja e trafikut nga Astiri në Sheshin Shqiponja përmes by passit dhe tunelit.”

Punimet ndodhen në fazë intensive jo vetëm në nënkalimin Shqiponja, por edhe në lotin e parë dhe të dytë të zonës së Astirit. Në total Sheshi Shqiponja do të ketë 5 tunele, ndërsa e gjithë vepra pritet të përfundojë në fund të këtij viti, ndërsa afati kontraktual është shkurti i vitit 2022.

Tv Klan