Kandidatëve tek Mjekësia nuk u kërkohet të firmosin marrëveshjen as para regjistrimit

Nis regjistrimi në universitete. Të gjithë maturantët që janë shpallur fitues kanë afat deri më 11 Shtator të bëjnë regjistrimin. Edhe në Fakultetin e Mjekësise ka nisur regjistrimi i fituesve. Por atyre nuk iu është kërkuar të firmosin një deklaratë.

Kandidatët fitues thonë se nuk iu është dhënë asnjë informacion për kontratën apo marrëveshjen që duhet të firmosin sipas ligjit të ri “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin studimet për Mjekësi të Përgjithshme”.

Ligji parashikon se kandidati para se të regjistrohet si fitues në këtë program, nënshkruan një marrëveshje, e cila lidhet ndërmjet tij, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Universitetit të Mjekësisë, për të punuar në profesionin e mjekut pas përfundimit të studimeve, për jo më pak se 5 (pesë) vite në institucionet shëndetësore publike.

Por duke qenë se ligji në Fletoren Zyrtare është botuar më 16 Gusht, ai hynë në fuqi 15 ditë pas botimit.

Këtë vit konkurrenca tek mjekësia ka rënë ndjeshëm, duke u kthyer në programin më pak të kërkuar nga maturantët në Universitetin e Mjekësisë. Në total janë 1021 kandidatë për 400 kuota pranimi, duke pësuar një rënie me rreth 65% në krahasim me ata që garuan një vit më parë. 

Kandidatët fitues regjistrimin e bëjnë pranë sekretarive mësimore të fakulteteve përkatëse, ku veç dëftesës dhe listës së notave të shkollës së mesme të noterizuar, ata duhet të dorëzojnë edhe mandat pagesën e tarifës së regjistrimit.

Klan News