Përfaqësuesit politik thirrje qytetarëve për pjesëmarrje

Kryeministri Zoran Zaev përmes profilit të tij në Facebook u bëri thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me regjistruesit me qëllim që pas 20 viteve të merren të dhëna relevante të cilat do të jenë bazë për krijimin e politikave të ardhshme.

“Pas 20 viteve, përfundimisht shteti ynë do të marrë të dhëna relevante dhe aktuale të cilat më tutje do të jenë bazë për krijimin e politikave reale të cilat në përgjithësi përgjigjen në nevojat e qytetarëve. Prandaj ju bëj thirrje  të bëheni partnerë në këtë proces”, tha Zaev.

Sipas Presidentit Stevo Pendarovki me kalimin e kohës duhet që përkatësia etnike të hiqet gjatë procesit të numërimit.

“Së fundmi festuam 20 vjetorin e Marrëveshjes Kornizë, mendoj se numërimi vetëm sipas përkatësisë etnike duhet të bëhet pjesë e historisë”, tha Pendarovski.

Bashkimi Demokratik për Integrim apelon deri tek qytetarët që të regjistrohen të gjithë, pasi ky është një proces shumë i rëndësishëm për të gjithë vendin. 

Ndërkaq, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, njofton se deri më tani janë regjistruar rreth 200 mijë qytetarë të diasporës. Osmani gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që të regjistrohen. 

Edhe kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, u bënë thirrje shqiptarëve për t’u regjistruar. “Bëni kujdes, qëndroni të gatshëm dhe regjistroni të gjithë anëtarët e familjes tuaj”, thotë Ziadin Sela.

Klan Macedonia