Krerët e partive shqiptare thirrje diasporës 

Me rastin e fillimit të fazës së parë të procesit të regjistrimit, liderët politikë në vend i kanë bërë thirrje diasporës shqiptare që të regjistrohet.

Ali Ahmeti i BDI-së, Ziadin Sela i ASH-së dhe Bilall Kasami i Lëvizjes Besa, përmes rrjeteve sociale, kanë shpërndarë edhe linkun ku mund të regjistrohet diaspora.

Nëpër rrjete sociale, por edhe në adresë të Klan Macedonia, janë shfaqur shqetësime nga diaspora shqiptare, për shkak të pamundësisë që të regjistrohen. 

Ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për pengesa teknike, pasi është dita e parë e regjistrimit të kësaj kategorie të qytetarëve tanë, por rastet e tilla ngjallin dyshime te diaspora, siç thonë ata, për manipulime me shifrat.

“Po tentoj që 5 herë të regjistrohem prej Suedisë, por nuk mundem. Pasi i kaloj 5 faqet e para të formularit të aplikacionit, po më kthen prapë tek faqja e parë, ku shkruan se ky numër amë tashmë është i regjistruar, ndërsa unë ende s’i kam kaluar e nuk i kam plotësuar të gjitha hapat e nevojshëm të regjistrimit”, shkruan një bashkëqytetar nga Suedia, emri i të cilit është i njohur për redaksinë tonë. 

Por Drejtori i Entit Shtetëror për Statistika, Apostol Simovski thotë se problemet janë tejkaluar dhe mërgimtarët janë duke e shfrytëzuar aplikacionin.

 “Qasja në këtë aplikacion është shumë e thjeshtë përmes web-faqes sonë dhe sipas informacioneve që kemi, vetëregjistrimi i  mërgimtarëve vazhdon pa probleme. Por nëse paraqiten probleme, agjencia që ka përgatitur aplikacionin ka për detyrë t`i mënjanojë menjëherë”, thotë Apostol Simovski.

Nga ana tjetër, Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka shkruar në Facebook se kjo parti për 8 ditë ka grumbulluar mbi 100.000 nënshkrime të qytetarëve, të cilët nuk janë të kënaqur nga operacioni i regjistrimit.

“VMRO-DPMNE do të vazhdojë ta zhvillojë betejën kundër pushtetit mafioz, brenda institucioneve për t`u anuluar regjistrimi, kurse ndërkohë duhet që këtë operacion ta devalvojmë. Për këtë shkak i bëjmë thirrje diasporës që masivisht të paraqitet në aplikacionin online. Nëse pushteti mafioz vazhdon që të sillet me dhunë, atëherë kur t`i marrin institucionet, ky operacion do të jetë lëndë e kontroleve të detajuara, kurse VMRO-DPMNE nuk do t`i pranojë këto rezultate politike”, ka shkruar në FB, Hristijan Mickoski.

Ndërkohë, Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, bashkë me Drejtorin e ESHS-së, Apostol Simovski dhe Drejtorin e Drejtorisë për Realizimin e Sanksioneve, Marjan Spasovski kanë asistuar në fillimin e procesit të regjistrimit në institucionin ndëshkues-përmirësues në Kumanovë. 

Tv Klan