Lame: Kërkojmë bashkëpunim me banorët, nuk jemi armiq

Pas 30 vjetësh ka nisur procesi i regjistrimit të pronave në bregdetin e jugut. Prej dekadash, banorët kanë mbajtur në shtëpitë e tyre letra dhe dokumente, por asnjëra nuk i ka dhënë të drejtë pronësie mbi tokën apo shtëpinë.

Kreu i Agjencisë së Kadastrës, Artan Lame, u premtoi banorëve të fshatrave të Bashkisë Himarë se ky proces do të nisë dhe do të përfundojë, pasi për të është një sfidë personale.

“Regjistrimin e tokës në Kadastër nuk e bën dot asnjë privat, e bën vetëm shteti. Dhe shteti në këtë moment më ka ngarkuar mua dhe e kam marrë si sfidë personale”.

Kreu i Kadastrës u tha banorëve se ata duhet ta njohin vetë problemin që kanë pronat në këtë zonë, por u premtoi një proces transparent. Fillimisht do të bëhen matjet në terren nga punonjësit e Agjencisë së Kadastrës, do të hapet një zyrë ku qytetarët do të çojnë dokumentet e pronësisë, ato më pas do të hidhen në hartën e re, e cila pasi të publikohet për dy muaj dhe të përfundojë procesi i ankesave do të zyrtarizohet dhe do të përfundojë regjistrimin fillestar të tokës në bregdetin e jugut.

“Toka në këto 30 vjet ka mbetur e paregjistruar dhe ju të gjithë keni fjetur me letrat në xhep dhe me frikën që do na i marr ky, s’do na i marr ai, erdhi ky, t’ia jap, mos ia jap, e kështu me radhë.”

Në total procesi do të trajtojë 16 500 pasuri private, 5 200 prona shtetërore dhe pritet që afërsisht 8 000 banorë të Palasës, Dhërmiut, Vunoit, Lukovës, Gjilekës, Ilias, Himarës dhe Nivicës.

Tv Klan