Ditën e hënë të gjithë qytetarët që kanë në pronësi një objekt të ndërtuar përpara vitit 1991, por nuk disponojnë hipotekën, mund të shkojnë e të nisin procedurat për marrjen e saj. Në një konferencë për shtyp, Artan Lame tha se çdokush mund të nisë aplikimin në zyrat rajonale të ALUIZNI-t dhe të sjellë dokumentacion që provon pronësinë: leje ndërtimi të vjetra, akte pronësie, skica dhe gen plane apo vendime të vjetra të Këshillave Popullore.

“Qëllimi i këtij vendimi është të formalizojë një kategori pasurish të paluajtshme, të cilat edhe pse fizikisht ekzistojnë dhe zotërohen prej dekadash (herë-herë edhe prej shekujsh), pronarët e tyre nuk kanë patur dokumentacion të mirëfilltë pronësie, duke mos i gëzuar asnjëherë ligjërisht”, tha Artan Lame, Drejtor i Përgjithshëm i “ALUIZNI”-t.

Numri i ndërtesave që sot nuk e gëzojnë pronësinë për shkak se janë ndërtuar vite më parë është mbi 60 mijë.

“Numri i banesave që mendohet të trajtohen nga ky vendim është 40-60 mijë. Duhet theksuar se asnjëherë nuk është bërë një evidentim i plotë dhe i saktë i këtyre objekteve, ndaj si rrjedhim, shifra reale mund të jetë edhe më e lartë se ajo e mësipërme”, tha Lame.

Një vendim i qeverisë që daton në Korrik shkurtoi numrin e dokumenteve që duhet të dorëzohen nga kjo kategori që nuk ka marrë ende certefikatën e pronësisë dhe kryen falas kalimin e pronësisë të truallit të ndërtesës deri në 300 metra katrorë.

Tv Klan