Veliaj: Ëndrra ime që Tirana të jetë qyteti i mundësive

E dëmtuar nga tërmeti i Nëntorit në kryeqytet, shkolla 9-vjeçare në Lalm po rikonstruktohet nga bashkia duke krijuar edhe më shumë hapësira për të vegjlit e parashkollorit. Punimet u inspektuan nga kryebashkiaku Veliaj i cili apeloi që prindërit të regjistrojnë fëmijët aty.

“Jemi në një zonë shumë afër Tiranës, ndoshta 2 km në vijë ajrore nga Kombinati. Nuk është fundi i botës, e megjithatë ndihesh sikur është fundi i botës kur shikon një shkollë, e cila edhe përpara tërmetit ishte amortizuar, e lënë pas dore, e mbushur me lagështirë, pa kapacitetet e nevojshme për sa është rritur zona. Ashtu siç e ndaluam atë ‘hemorragji’ nga Kombinati që shkonte tek “21-shi” me shkollën e re “Betim Muço”, atë parim do ndjekim edhe në shkollën e Lalmit, e cila është një shkollë dinjitoze që shkon nga 170 në 200 nxënës, futet parashkollori, ka mjedise sportive, bëhen nyjet higjieno-sanitare”.

Kryebashkiaku shprehu bindjen se Tirana është qyteti i mundësive, ku çdo djalë dhe vajzë mund t’ia dalë me punë.

“Nëse i bëjmë shkollat njësoj si në Lalm, si në Laprakë, si në Lanabregas, nuk ka rëndësi nga cila periferi vjen, ëndrra ime është që ky të jetë një qytet ku çdo djalë dhe vajzë ia del me punë dhe përpjekje ëndrrës së vet. Unë besoj se në këtë shkollë do të thuren shumë ëndrra të reja, dhe me shpresë se nga këtu do të vijë elita e Tiranës”.

Për herë të parë, shkolla e Lalmit do të ketë laborator informatike.

Tv Klan