Para se studentët të marrin pushimet e verës, në të gjitha godinat e Qytetit Studenti do kenë përfunduar punimet për rikonstruksionin e ambienteve të përbashkëta, si sallat e leximit, nyjet sanitare, dushet, hidroizolimi etj.

Bashkia e Tiranës, në përmbushje të detyrave që lindin nga Pakti për Universitetin, ka vijuar punën për rikonstruksionin e dy godinave të tjera në Qytetin Studenti, ato me numër 9 dhe 10, duke e çuar kështu në 8 numrin e konvikteve ku po punohet vetëm në këtë rezidencë studentore.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet që po kryhen në dy godinat e vajzave, ndërsa vlerësoi faktin që rikonstruksioni po kryhet në kushte të vështira për shkak se godinat janë ende të populluara.

“Jam shumë i lumtur që shikoj se si vlon puna në Qytetin Studenti. Kemi filluar me dy godina të reja. Për t’ju dhënë një ide, dy godina kanë 180 dhoma. Pra, kanë më shumë dhoma sesa një nga hotelet më të mëdha sot në Tiranë, me 5 yje. Do të thotë që rikonstruksioni i një godine studentore është thuajse i barabartë me rinovimin e një hoteli. Kur shikon që hoteleve private u duhen 2-3 vite ta sjellin në terezi një rikonstrukison, këtu po punojmë realisht në kushte spartane, dhe me një rendiment të jashtëzakonshëm. Kështu që dua të falenderoj kompanitë e tjera që po adoptojnë konvikte të ndryshme”

, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Me nisjen e punimeve edhe me këto dy konvikte të tjera, kryebashkiaku theksoi se përmbushet një premtim i dhënë pak javë më parë, që gjysma e godinave në QS të kishte nisur puna për rikonstruksionin e tyre.

“Me dy konviktet e reja të gocave, jemi mbi atë që kishim premtuar. Pra, që përpara shkurtit, gjysma e konvikteve të kishin filluar punë, dhe gjysma tjetër në pjesën tjetër të muajit. Dua të kujtoj që sot protesta ka mbaruar, sot bojkoti ka mbaruar, debati ka mbaruar. Por, nuk ka mbaruar zelli ynë për të mbajtur çdo pikë të “Paktit me Universitetin”. Për sa kohë që kryeministri, kryetari i bashkisë, qeveria, autoritetet vendore, morën përsipër dhe dhanë fjalën, edhe zelli i punimeve është vërtetimi i faktit që vazhdon përtej lajmit të ditës. Kështu që, do të jemi këtu edhe kur ndoshta të harrohet i gjithë ky debat, dhe gjithë ky diskutim. Sepse fjala e dhënë duhet mbajtur. Ashtu siç kemi pasur zakon edhe në qeveri, edhe në bashki, për sa kohë që kemi marrë një angazhim, është apo s’është lajm dite, ka apo s’ka sherr, ka apo s’ka protestë, ne do ta çojmë fjalën deri në fund”

, shtoi kryebashkiaku.

Ai shprehu besimin se para se studentët të marrin pushimet e verës do ketë përfunduar puna në të gjitha godinat për ambientet e përbashkëta dhe më pas duke përfituar nga kjo periudhë do të ndërhyhet për rikonstruksionin e dhomave të ndenjjes.

“Jam shumë entuziast sot që studentët do të largohen për pushimet e verës, me të gjithat konviktet e riparuara në pjesët publike, nyjet higjieno-sanitare, dushet, ambientet e përbashkëta, termoizolimin, suvatë, dhe lyerjen nga jashtë. Besoj se është një moment historik kthese për të ngritur një standard të ri të komunikimit me studentët, duke i parë jo si e ardhmja, por si e tashmja. Në fund të verës, një e treta e studentëve do të bëhen rezidentë të Tiranës, duke qenë se mbarojmë vitin akademik, dhe do të jetë kontribues, edhe me taksa, edhe me talent, edhe me pasion dhe energji të mirë, për qytetin tonë”

, tha Veliaj.

Deri më tani Bashkia e Tiranës falë edhe ndihmës së donatorëve të ndryshëm ka nisur rikonstruksionin e 8 konvikteve. Më konkretisht bëhet fjalë për konviktet 5, 6, 20, 21, 27, 28 dhe së fundi edhe 9 dhe 10.

/tvklan.al