Emisioni “Stop” ka udhëtuar drejt qytetit të Lushnjes, në Njësisë Administrative Dushk, ku shkolla 9-vjeçare dhe gjimnazi gjenden në të njejtën godinë. Në tabelën me të cilën përballesh në hyrje të shkollës, thuhet se afati i punimeve është 110 ditë, ndërkohë që në 25 Tetor 2018 shkolla ka filluar, por nxënësit e kësaj shkolle qëndrojnë në shtëpi.

Të pyetur nga gazetarja e emisionit “Stop”,  nxënësit u shprehën se shkolla është duke u rregulluar dhe se do të jenë pushim deri të hënën tjetër.

Drejtori i Arsimit në Bashki, Muharrem Sharka tha se punimet duhet të ishin bërë më herët, por financimi, miratimi në Këshillin Bashkiak dhe prokurimi kërkojnë kohë dhe shtyjnë procesin.

Dëshira jonë ishte që të bëhej në Maj, por hapat nuk të lenë. Erdhi financimi, miratimi në Këshillin Bashkiak, në prokurim, që ka kohën e vetë, vendosja e supervizorit, afati i vlerësimit që janë pastaj procedura në sistem, që nuk e anashkalon dot. Afati ligjor i ankesave, që detyrimisht do presim, njoftim për fituesin, lidhja e kontratës dhe fillimi i punimeve, që është bërë 16.10.2018”,

u shpreh Sharka.

Nga Bashkia e Lushnjes u dha afati i punimeve 16 Tetor 2018 dhe 16 Prill 2019, pra në kuadrin 6 mujor. Por për sa i përket pyetjes se çfarë do të ndodhë me nxënësit dhe me orët e mësimit të humbura, përgjegjësia iu kalua  Zyrës Arsimore Lushnje.

Nga ZA Lushnje, Brunilda Dhamo shpjegoi se mësimi është ndërprerë për shkak të punimeve dhe do të zëvendësohet në ditët e shtuna.

“Punimet në godinë janë menduar që do të punohen me dy seksione edhe do të zhvillohet e mësimi”,

shtoi Dhamo

.

Përpos kësaj, klasës së gjashtë të kësaj shkolle i mungojnë tekstet e Historisë, Biologjisë dhe Gjeografisë.

Unë kam mbesën në klasë të gjashtë , gjithmonë librat i kemi marrë tek shkolla, gjithmonë! Sivjet na rastisi për herë të parë që tre libra mungojnë. Histori, Gjeografi dhe Biologji, mua më vjen shumë keq që nuk janë këto tre libra”,

u shpreh i shqetësuar një qytetar, pasi nuk kanë se ku t’i sigurojnë librat.

  

Lidhur me këtë drejtoresha e ZA Lushnje tha:

“Për pjesën e librave nuk është se kam një informacion nga drejtuesja e shkollës. Do të interesohem direkt me drejtuesen e shkollës edhe me distributorin edhe nëse qëndron e vërtetë, patjetër që fëmijëve do t’iu shkojnë librat urgjent! Edhe do të merren masat ndaj personit që e ka neglizhuar këtë detyrë”.

Mjaftonte ndërhyrja e emisionit “Stop” dhe librat që mungonin prej një muaji e gjysmë, u siguruan brenda 24 orëve./

tvklan.al