Veliaj: Shtëpitë individuale përfundojnë brenda Nëntorit

Në Farkë ka nisur rindërtimi i tre shtëpive të cilat u dëmtuan rëndë nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Gjatë inspektimit të punimeve, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se puna do të vijojë gjatë gjithë verës për përfundim e banesave individuale brenda Nëntorit.

“Kështu do të vazhdojmë në çdo lagje, nga 3-4, në varësi të shtëpive të dëmtuara. Një pjesë e madhe e qytetarëve do të shkojnë për pushime, kurse bashkia do të sigurohet që deri në fund të Gushtit të mbajmë fjalën për shtëpitë e nisura”.

Në kryeqytet do të rindërtohen 870 banesa individuale.

“Në gjithë Tiranën do të bëjmë 870 shtëpi, pastaj në Vjeshtë nisim me pallatet, të cilat marrin pak më shumë kohë, sepse edhe sistemimi, analiza dhe studimi duan më shumë kohë. Ne do të vazhdojmë dëgjesat me inxhinierët çdo javë, që qytetarët të binden para se ta marrin atë vendim. Pastaj, fillojmë me themelet e pallateve të reja në Kombinat dhe te ‘5 Maji’”.

Ndërsa për të gjitha ato familje që kanë pësuar dëme të lehta do të vijohet me shpërndarjen e dëmshpërblimeve.

Tv Klan