Përfshihet edhe lyerja dhe sistemimi i hapësirave të përbashkëta

Pallatet që kanë pësuar dëme të lehta nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019 në kryeqytet po riparohen nga Bashkia e Tiranës. Aktualisht, në të gjithë territorin e Tiranës ka nisur aksioni që do të rivitalizojë edhe shumë prej pallateve të vjetra, pasi kjo nismë, e para e këtij lloji, do të përfshijë edhe lyerjet dhe sistemimet e hapësirave të përbashkëta.

Në Tiranë janë 288 pallate, në të cilat është vlerësuar e domosdoshme kjo ndërhyrje, proces që ka nisur dhe po ecën paralelisht në të gjitha njësitë.

Puna ka nisur edhe tek Njësia 1 në kryeqytet, ku ka filluar prishja, suvatimi, lyerja e pallateve.

Kjo është një nismë që po kryhet për herë të parë nga Bashkia e Tiranës. Rregullimi i hapësirave të përbashkëta është një ndër gjërat kryesore që kërkojnë banorët.

Bashkia e Tiranës po zbaton prej disa vitesh programin për “Fondin e Komunitetit”, përmes të cilit kanë përfituar mijëra banorë të pallateve të ndërtuara para viteve ‘90, të cilët kanë riparuar hapësirat e përbashkëta në formën e bashkëfinancimit me bashkinë. Nisma më e fundit për pallatet e dëmtuara nga tërmeti tragjik i vitit 2019 është financim i plotë i qeverisë shqiptare.

Klan News