Prej orës 16:00 ka nisur seanca e radhës në Kuvendin e Shqipërisë. Tashmë deputetët do të debatojnë për programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme.

Pas dy ndërprerjeve duket se seanca po vijon normalisht ku deputetët sipas rendit të vendosur më herët do të shprehin mendimin e tyre për programin e prezantuar sot më herët nga Kryeministri Edi Rama.

Nis me debate seanca maratonë, opozita kërkon ndërprerjen e punimeve

Ka nisur me debate seanca maratonë ku diskutohet për programin qeverisës mes deputetëve të opozitës dhe maxhorancës. Por kreu i Grupit Parlamentar të PD, Alfred Rushaj, është shprehur se nuk mund të vijohet seanca me mungesën e Kryeministrin Edi Rama.

Opozita ndenji në seancë dhe dëgjoi lloj-lloj gjërash që vetëm me programin nuk kishte të bënte. Kërkojmë që të ndërpritet seanca, të vijë kryeministri dhe të dëgjojë propozimet e opozitës”, deklaroi Rushaj.

Kjo kërkesë e Rushajt është mbështetur dhe nga deputetë të tjerë të Partisë Demokratike, të cilët kërkuan që Kryeministri të jetë prezent.

Por nga ana tjetër kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka thënë se seanca duhet të vijojë edhe pa Kryeministrin.

Ndërkohë Nikolla tha se “kam njoftim nga zyra e kryeministrit se mungesa e tij eshte per pune te rendesishme“.

Ndërpritet seanca, do të rinis në orën 17:00 për t’u diskutuar programi qeverisës

Është ndërprerë seanca plenare ku do të debatohet programi qeverisës për vitin 2021-2025. Opozita kërkoi ndërprerjen pasi mungonte Kryeministri Edi Rama.

Lulzim Basha që ishte i pari në listën e diskutimeve nuk pranoi që ai të fliste pa praninë e Ramës. Pas disa diskutimesh është vendosur që seanca të ndërpritet dhe të rinis në orën 17:00.

Gjatë kësaj kohe Partia Demokratike do të zhvillojë një mbledhje Grupit Parlamentar.

Tensione në Kuvend, opozita nuk lejon Ahmetajn të flasë

Ka rinisur me tensione seanca plenare ku do të diskutohet për programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme. Opozita ka kërkuar më shumë kohë për mbledhjen e Grupit Parlamentar dhe akuzuar maxhorancës se u futën në Kuvend kur ata po zhvillonin diskutime.

Sërish kryeministri Edi Rama nuk ishte në seancë dhe opozita nuk pranoi të niste diskutimet pa praninë e tij.

Kryetarja e Kuvendit i dha fjalën Arben Ahmetajt, por opozita nuk e ka pranuar këtë gjë dhe nuk lejuan zëvendës kryeministrin të fliste, duke i bllokuar dhe foltoren.

Ndërpritet për herë të dytë seanca plenare

Parlamenti është ndërprerë për herë të dytë pas ndëprerjes së parë prej 15 minutash. Shkak u bë bllokimi i foltores nga deputeti i opozitës Enkelejd Alibeaj.

Pas rikthimit, deputetët e Partisë Demokratike kërkuan sërish ndërprerjen e seancës me argumentimin se grupi i tyre parlamentar do të zhvillojë mbledhje 60 minuta sikurse përcaktohet në rregullore.

Ju lutem dilni nga salla dhe të zhvillojmë mbledhje 60 minuta”, ishte kërkesa që iu bë kryeparlamentares Lindita Nikolla nga deputetja e opozitës Oriola Pampuri.

Kryeministri do të jetë këtu prezent natyrshëm. Në momentin që Kryeministri do jetë prezent, edhe ne do të jemi prezent, dhe ta dëgjojmë dhe fjalën e kryetarit të opozitës”, u kundërpërgjigj Taulant Balla nga PS.

Pas këtyre diskutimeve, deputeti i PD, Eneklejd Alibeaj, i cili bllokoi foltoren e Kuvendit duke mos e lënë të lirë deri në rikthimin e Kryeministrit Rama.

Kryeparlamentarja Nikolla vendosi 10 minuta pushim pas bllokimit të foltores.

Partia Demokratike kërkon prezencën e Kryeministrit Edi Rama në Parlament gjatë kohës që fjalën do ta marrë kryedemokrati Lulzim Basha.

Ahmetaj prezanton prioritetet e qeverisë: Rritja ekonomike përtej parashikimeve