Në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Europian në Luksemburg është zhvilluar seanca e parë dëgjimore për përcaktimin e “vendeve të sigurta të origjinës” në funksion të zbatimit të Protokollit Itali-Shqipëri.
Kjo gjykatë do të publikojë në datën 10 Prill konkluzionet e çështjeve ligjore në lidhje me protokollin mes Italisë dhe Shqipërisë si dhe përcaktimin e vendeve të sigurta për riatdhesim. Gjykata e Drejtësisë e BE-së po e kryen shqyrtimin e kësaj çështje në mënyrë të përshpejtuar.
Sipas burimeve tona në Luksemburg vendimi përfundimtar pritet nga fundi i muajit Maj ose në fillim të Qershorit dhe do të jetë i detyrueshëm për gjyqtarët në të gjitha shtetet anëtare të BE-së.
Çështja para gjykatësve europianë buron nga ankesa kundër refuzimit të azilit të marrë nga dy shtetas të Bangladeshit të dërguar në objektet e Shëngjinit dhe Gjadrit në mes të muajit Tetor të vitit të kaluar.
Gjyqtarët italianë kanë refuzuar deri më tani të vërtetojnë ndalimin e tre grupeve të para të azilkërkuesve të dërguar deri tani në Shqipëri që nga muaji Tetor i vitit të kaluar, duke i referuar çështjet e tyre në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.
Kjo gjykatë kishte vendosur më 4 Tetor se një azilkërkues nuk mund të kalonte një procedurë të përshpejtuar riatdhesimi nëse vendi i tij i origjinës nuk konsiderohej si plotësisht i sigurt.
Vendet e origjinës në rastet e këtyre azilkërkuesve të shpëtuar në Detin Mesdhe nga marina italiane Bangladeshi dhe Egjipti, nuk u gjykuan nga autoritetet e drejtësisë italiane si plotësisht të sigurta në të gjithë territorin e tyre.
Pyetjet e parashtruara nga Gjykata e Romës kanë të bëjnë me disa aspekte të legjitimitetit të legjislacionit italian në dritën e atij evropian.
Klan News