5130 shtëpi e 500 pallate me dëme shumë të mëdha

Nis shembja me tritol e objekteve të rrezikshme në Durrës. Për rreth 5 orë forcat e xhenios punuan për vendosjen e lëndës shpërthyese të llojit C4 në brendësi te hotelit 6-katësh në zonën e plazhit, i cili kishte pësuar dëmtime të mëdha nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Deri në orën 17:30 vetëm në qytetin e Durrësit janë shembur 12 objekte dhe 8 në Thumanë.

Nga raportimet e orës 14:00, verifikimet e 34 grupeve në terren tregojnë për një rritje të bilancit të dëmeve nga tërmeti i 26 Nëntorit. Në Durrës rezultojnë të shembura dhe të dëmtuara rëndë 3821 shtëpi, ndërsa në Tiranë 1311.

Rritja ka edhe të numrit të pallateve të dëmtuar, 461 janë në Durrës dhe 35 në Tiranë. Një nga Bashkitë e prekura është edhe ajo e Shijakut.

Pas Tiranës, Durrësit dhe Lezhës, tërmeti ka shkaktuar dëme dhe në qarqet e Dibrës, Kukësit, Fierit, Elbasanit dhe Berat. Në Kukës 4 pallate janë dëmtuar rëndë, ndërsa në Elbasan 1.

Emergjencat njoftojnë se vijon operacioni për prishjen e objekteve që rrezikojnë jetën e banorëve, një pjesë e të cilëve janë evakuuar. Familja Truni prej afro 6 ditësh është evakuuar në një prej hoteleve të qytetit të Durrësit. Deri në mesditën e së martës janë strehuar në hotele, qendra sociale apo çadra 3224 persona. 

Nga qytetarët e lënduar si pasojë e tërmetit, aktualisht janë 18 pacientë që vijojnë të marrin shërbim në Spitalin e Traumës, 3 në Spitalin e Durrësit dhe 3 pacientë po marrin një trajtim më të specializuar në Itali.

Tv Klan