Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi se ditën e sotme, do të nisë vaksinimi i personave mbi 65 vjeç kundër koronavirusit. Në komunikatën për media thuhet se prioritet në imunizim do të kenë personat që janë regjistruar për vaksinim në platformën online e-kosova.

Sipas planit shtetëror, vaksinimi në Kosovë është ndarë në tri faza. Personat 65-79 vjeç bëjnë pjesë në fazën e dytë, ashtu si edhe mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë, të përfshira në menaxhimin e pandemisë.

Në fazën e parë, që ka nisur në fund të marsit, janë vaksinuar punëtorët shëndetësorë, personat mbi 80 vjeç dhe personat me sëmundje kronike. Në fazën e tretë, ndërkaq, pritet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë së Kosovës.

Kosova ka marrë dozat e para të vaksinës AstraZeneca – 24,000 sosh – në fund të marsit, përmes programit Covax të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Këtë javë dhe javën e kaluar, vendi ka pranuar edhe dy kontingjente vaksinash Pfizer/BioNTech, me mbi 7,000 doza në total, si donacion nga Bashkimi Evropian.

BE-ja ka ndarë gjithsej 95,000 doza të vaksinave për Kosovën, të cilat do të shpërndahen gradualisht. Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka thënë të hënën se më 12 maj do të pranojë edhe 38,400 vaksina të tjera përmes programit Covax.

Kosova mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nënshkruar ndonjë kontratë për blerjen e vaksinave kundër koronavirusit dhe çdo dozë e siguruar deri më tash është donacion ose nga BE-ja, ose nga OBSH-ja. Të martën, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë arriti në 106,538, i viktimave në 2,213 dhe i të shëruarve në 98,223./REL