Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka filluar takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në kuadër të procesit të dialogut.

Ky takim është duke u ndërmjetësuar nga Emisari i posaçëm Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak dhe Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, njofton Klankosova.tv.

Borrell para takimit ka mbajtur një konferencë për media në të cilën ka thënë se shpreson që takimi i sotëm mes kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç të jetë i frytshëm.

“Sot do të jem nikoqir i takimit të dytë të nivelit të lartë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky është takimi i dytë qysh prej zgjedhjes së Albin Kurtit si kryeministër i Kosovës. Takimi i parë nuk ishte shumë i frytshëm, prandaj të shpresojmë se sot do të jetë takim me më shumë rezultate”, ka thënë Borrell.

Ky është takimi i dytë i Kurtit dhe Vuçiçit në kuadër të dialogut. Kurti ishte bashkë me Besnik Bislimin, zëvendëskryeministrin e Kosovës. Ndërsa Vuçiç ishte me Petar Petkoviç, drejtorin e Zyrës serbe për Kosovën në Qeverinë e Serbisë./klankosova