Operatorët: Autoritetet të informojnë partnerët për shifrat e ulëta të Covid

Ndryshe nga një vit më parë kur shumica e vendit ishte e mbyllur dhe nuk mund të flitej as për turizëm brenda kufijve, këtë herë duket se ka shpresë për të bërë një sezon turistik modest. Operatorët turistikë thonë se Shqipëria nga ana pandemike paraqitet më mirë se vendet e tjera, si nga numri i të prekurve me Covid ashtu dhe procesin e vaksinimit të stafeve që do t’u shërbejnë turistëve.

“Ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë, tashmë duhet të kemi dhe pak infektime nga vendet që vijnë të pushojnë në Shqipëri: Çekia, Polonia etj.”, tha Besnik Vathi.

Aktorët e tregut të turizmit kërkojnë që të nisë sa më parë diplomacia ekonomike në fushën e turizmit. Besnik Vathi thotë se autoritetet duhet të informojnë vendet që historikisht kanë sjellë turistë në Shqipëri, për shifrat në ulje të infektimeve.

“Duhet të nisë sa më parë që autoritetet të nisin informimin për shifrat e ulëta që kemi, për vaksinimin e stafit. Kjo duhet të dihet, dhe mos na i kalojnë vende të tjera që janë me infeksione më të larta se ne”.

Kërkesat dhe dëshirat janë të shumta edhe nga shqiptarët për të udhëtuar jashtë.

“Presim Greqinë që të hapë kufijtë me dhe të mos ndryshojë datat, presim dhe vendet e tjera të Bashkimit Europian, sepse kërkesë kemi.”

Për momentin të vetmet vende me të cilat Shqipëria udhëton lirisht vetëm me anë të një testi PCR negative janë Turqia, Emiratet Arabe dhe Egjipti.

Tv Klan