Manastirliu: Do të zbresim fashën në +60 vjeç

Të njoftuar nga mjeku i familjes, 65-vjeçarët e parë janë paraqitur në qendrat e vaksinimit të ngritura në mbarë vendin. Edhe në sheshin Skënderbej, ku gjendet pika më e madhe e vaksinimit në vend këtë të premte dhjetëra persona mbi 65 vjeç, të njoftuar nga mjeku janë vënë në pritje të vaksinës.

“Po pres, jam njoftuar nga mjeku i familjes. Jam 65 vjeç”.

Disa të tjerë e kanë injektuar më herët.

“Jam 67 vjeç, e bëra. S’kam asnjë shqetësim, jam nga Skrapari, jam njoftuar nga mjeku erdha e bëra”.

Fasha moshore për vaksinën e Covid-19 do të zbres në moshën 60 vjeç. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, teksa së bashku me kryebashkiakun Veliaj ishin në stadiumin Air Albania ku vijon vaksinimi i efektive të policisë.

“Dje kanë mbërritur 100 mijë vaksina të Sinovac, të cilat pas gjithë procedurave verifikuese, do të shpërndahen në territor, në qendra shëndetësore dhe qendrat e vaksinimin të përqendruar, për të vijuar vaksinimin masiv, duke zbritur në grupmoshë dhe duke vijuar me +65 vjeç dhe +60 vjeç me sëmundje kronike”.

Duke vlerësuar vaksinimin e policisë bashkiake, kryetari i Bashkisë së Tiranës shprehu mirënjohje për punën e stafeve mjekësore.

“Një punë heroike e këtyre njerëzve, që ndoshta ata kanë punën më të stresuar dhe kanë 1/10 e rrogës. Dhe këtu është padrejtësia, kanë 1/10 e rrogës të atyre që i zë stresi nga 5 mijë euro në muaj. Dhe për ta jam shumë krenar. Kjo është Shqipëria e vërtetë. E atyre njerëzve që punojnë kokëulur, që shërbejnë, që e kuptojnë që tani jemi në luftë. Që e kuptojnë që qeveria në momentin e parë që kishte mundësi i rrit rrogat nga 40%”.

Deri tani janë kryer mbi 242 mijë vaksinime për të moshuarit, mjekët, infermierët, stomatologët, farmacistët, arsimtarët, edukatorët, punonjësit e rendit, punonjës të medias.

Tv Klan