Nis vaksinimi i dializantëve dhe grupeve më të rrezikuara



Nis vaksinimi i dializantëve dhe grupeve më të rrezikuara

15:20 13/04/2021

Ka nisur vaksinimi i dializantëve dhe të personave që kanë kryer transplante, pranë qendrave të dializës në të gjithë vendin. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka ndjekur nga afër vaksinimin e qytetarëve që kryejnë dializë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

“Sot kemi filluar vaksnimin e dializantëve, janë më shumë se 1200 dializantë, të cilët do të vaksinohen në të gjithë vendin. Kemi vendosur që vaksinimin e dializantëve, edhe për të ndjekur kushtet e sigurisë, edhe për të mundësuar vaksinimin e shpejtë të tyre, ta kryejmë pranë qendrave të dializës, qoftë në sistemin publik, qoftë në sistemin jo publik. Dhe gjithashtu fillojmë edhe vaksinimin e personave që kanë kryer transplant dhe sigurisht vaksinimi do të kryhet me përparësi për të gjithë ata individë, të cilët kanë sëmundje kronike të riakutizuara, sipas rekomandimeve mjekësore”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se po vijon vaksinimi i kombinuar në të gjithë vendin, ndërsa bëri me dije se deri tani janë vaksinuar mbi 190 mijë të moshuar.

“Kemi vijuar me vaksinimin masiv të popullatës dhe do të arrijmë sot mbi 270 mijë vaksinime. Ndërkohë që kemi arritur që të vaksinojmë me dozën e parë mbi 190 mijë të moshuar. Sigurisht kjo jep më shumë garanci për mbrojtjen e jetës së tyre. Dhe ne do të vazhdojmë të jemi po kaq të kujdesshëm për vijimin e rivaksinimit me dozën e dytë”, nënvizoi Manastirliu.

Duke ecur me këto ritme të shpejta të vaksinimit, Manastirliu nënvizoi se brenda muajit maj do të realizohet plani ambicioz për 500 mijë vaksinime në rang kombëtar.

“Ritmi i vaksinimit do të vijojë të jetë i shpejtë, sikurse ka qenë deri më sot, pasi vaksina të tjera do të mbërrijnë në kuadër të kalendarit tonë të vaksinimit, me kontratat e lidhura aktualisht. Dhe ne duam që të arrijmë ato objektiva ambiciozë që i kemi vendosur vetes që brenda muajit maj, të kemi arritur një numër prej 500 mijë vaksinimesh dhe për të arritur dhe planin tonë ambicioz të vaksinimit të gjithë popullatës brenda pranverës së vitit të ardhshëm”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë.

Manastirliu ju ka bërë apel qytetarëve që i përkasin grupmoshës +60 vjeç ose janë në kategoritë e riskut, të drejtohen tek mjeku i familjes, për të marrë rekomandimet dhe planifikuar vaksinimin antiCOVID. Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 267,556 doza të vaksinës ndaj COVID19. prej tyre 192,209 vaksinime për të moshuarit; 36,939 vaksinime për personel shëndetesor; 27,090 për arsimtarët; 10,835 vaksinime për punonjës të policisë, etj.

Deri tani, në Shqipëri kanë mbërritur 396,560 doza vaksinash, ndërsa qeveria shqiptare ka siguruar deri tani përmes kontratave të ndryshme, mbi 2.1 milion doza vaksine./tvklan.al







Të ngjashme