Nis vaksinimi i stafeve, Rama: Turistët do të gjejnë hotele “Covid free”



Nis vaksinimi i stafeve, Rama: Turistët do të gjejnë hotele “Covid free”

13:57 17/04/2021

Punonjësit e fabrikave dhe transportuesit, të radhës që do të vaksinohen

Në qytetin e Durrësit nis imunizimi i stafeve të hotelerisë. Punonjësit u paraqitën në pikën e vaksinimit të ngritur në qendër të qytetit. Punonjësit e sektorit të turizmit morën dozën e parë të Coronavac ndërsa çdo ditë parashikohet që të bëhen 1 mijë vaksinime.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se duhet që të informohen të gjithë punonjësit e këtij sektori. Ai u shpreh se në sezonin e verës turistët do të gjejnë hotele që do të jenë “Covid free”.

“Sot është e rëndësishme që të informohen edhe të tjerët. Qeveria është gati për të vaksinuar të gjithë personelin e strukturave hoteliere, duke filluar nga strukturat hoteliere të bregdetit sepse janë ato që do të kenë masën më të madhe të turistëve që do të presin dhe me këtë vaksinim japin një garanci më shumë për operatorët turistikë dhe turistët që do të vijnë të gjejnë hotele që janë ‘Covid free’, të lira nga Covid. Pastaj do vazhdojë edhe me të tjerët, por të gjithë të aplikojnë në Ministrinë e Turizmit dhe të futen në radhë për të marrë vaksinën”, tha Rama.

Ndërkohë Manastirliu u shpreh se të vaksinuarit do të kenë certifikatë vaksinimi individuale, por kjo do të jepet edhe për subjektet e hotelerisë. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama tha se punonjësit e radhës që do të vaksinohen janë punonjësit në fabrika dhe transportuesit e udhëtarëve./tvklan.al







Të ngjashme