Rama-Manastirliu: Me mbërritjen e vaksinave AstraZeneca fillon vasinimi i mësuesve

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu kanë ndjekur nga afër nisjen e procesit të vaksinimit të të moshuarve mbi 80 vjeç në Lezhë.

“Ne po vijojmë në të gjitha qendrat e vaksinimit të përqëndruar dhe deri tani janë kryer mbi 15 mijë vaksinime, 12 mijë janë të stafit mjekësor. Çdo ditë bëjmë rreth 1 mijë vaksinime dhe besoj që do të ecim akoma më shpejt me ardhjen e serive të tjera të vaksinave që presim, qoftë nga Covax, që besoj se dy javët e para do të ketë ardhjen e serisë së parë, edhe gjithashtu nga Pfizer, nga i cili me datë 15 do të vijë dërgesa tjetër prej rreth 8 mijë vaksina, ndërkohë jemi duke kombinuar punën dhe për dozën e dytë që shumë e rëndësishme për efektivitetin e plotë”, tha Manastirliu.

Duke folur për procesin e vasinimit, Manastirliu deklaroi se me ardhjen e vaksinave të AstraZeneca, do të fillojë vaksinimi i mësuesve. Qendrat e vaksinimit të përqëndruar po vijojnë të hapen në çdo rajon, ku veç personelit shëndetësor po vijon vaksinimi i të moshuarve mbi 80 vjeç.

32,760 vaksina Pfizer kanë mbërritur deri tani në Shqipëri, ndërsa do të vijojë furnizimi nga kontrata direkte me Pfizer dhe nëpërmjet instrumentit COVAX. Qeveria shqiptare ka siguruar deri tani 1,6 milion doza vaksine, nëpërmjet kontratës me Pfizer dhe mekanizmit COVAX./tvklan.al