Kryhen 11487 injektime në ditën e parë

Nisi këtë të diel në vendin tonë vaksinimi masiv i popullsisë mbi 70 vjeç me dozat e vaksinës kineze Sinovac. Në përfundim të procesit Ministrja e Shëndetësisë bëri të ditur se objektivi prej 10 mijë injektimesh në ditë ishte kaluar.

Procesi startoi në orët e para të ditës në të gjithë vendin, ndërsa qendra më e madhe e injektimit e ngritur në sheshin Skënderbej përballoi edhe fluksin më të madh.

Pas njoftimit nga mjeku i familjes të moshuarit janë drejtuar për të marrë dozën e parë të vaksinës.

88 vaksinatorë do të shërbejnë çdo ditë në sheshin Skënderbej, ndërsa puna paralelisht vijon në qendrat e tjera shëndetësore dhe ato të posaçme të vaksinimit që funksionojnë në disa qytete.

Ekspertet e vaksinimit, thonë se vaksina kineze Sinovac, është e sigurt. Ajo po përdoret në disa vende dhe deri më tani nuk ka raportime për problematika të shkaktuara prej saj.

Procesi do të vijojë me ritme të larta çdo ditë, ndërsa të moshuarit do të kontaktohen nga mjekët e familjes për të përcaktuar ditën dhe orarin e vaksinimit.

Tv Klan