Rama: Finalizojmë marrëveshjen me AstraZeneca për 360 mijë doza

Pas Shkodrës, edhe në Tiranë ka nisur procesi i vaksinimit në shtëpitë e të moshuarve. Kreu i qeverisë Edi Rama i shoqëruar edhe nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliun, panë nga afër procesin e vaksinimit të të moshuarve në Tiranë. Janë afro 1 mijë të moshuar dhe stafet e tyre që do të vaksinohen këtë javë.

Vetëm gjatë ditës së sotme janë kryer 612 vaksinime anti-Covid, nga të cilët 70 prej të moshuarve të cilët kanë marrë dozën e parë. Nga stadiumi Air Albania, Kryeministri Edi Rama u tregua optimist për mbyljen e procesit të vaksinimit brenda 14 muajsh.

“Do vazhdojmë me një  numër tjetër të moshuarish që janë personalitete që duhet t’i mbajmë sa më mirë dhe jo thjesht të kujtohemi kur vdesin e të mbajmë fjalime”.

Teksa marrëveshja me AstraZeneca për 360 mijë doza vaksine është drejt finalizimit, Kryeministri Edi Rama u tregua optimist për mbylljen e procesit të vaksinimit brenda 14 muajsh.

“Presim një konfirmim për të formalizuar 360 000 doza me AstraZenecën. kemi pasur një kontakt me një shtet mik dhe përsëri edhe aty kemi shpresë se do kemi dhe një sasi tjetër. Jemi të bindur se skenari A, brenda 14 muajsh të kemi kryer të gjithë procesin e vaksinimit”.

Një thumbim pati edhe për ata qe e kritikojnë, duke i quajtur dembelë aktivë të Shqipërisë.

“Kur erdhën vaksinat në fillim dhe nuk i prita unë ju e hapët syrin shumë fort dhe pretenduat të kundërtën që pse vijnë fshehtas, këta po bëjnë propagandë. Kështu që duke qenë se njerëzimi dhe veçanërisht kombi ynë në shekuj nuk e zgjidhi dot kurrë dilemën çfarë uji t’i japësh gomarit unë kam vendosur që të bëj atë që mendoj se është e drejtë . Gomari në këtë rast? Gomari jam unë, gjithmonë kuptohet se mbaj ngarkesën, mbaj të sharën, por kam një të mirë që jam gomar që e çoj në destinacion ngarkesën gjithmonë, Pavarësisht se ata që Faik Konica i quan dembelët e Shqipërisë nuk më lenë rehat asnjë moment”.

Ministrja e Shëndetësisë tha se 4 spitalet Covid në kryeqytet janë shtuar shtretërit për të sëmurët me Covid.

“Kemi vendosur edhe shtretër ekstra në ato dhoma të cilat kanë patur dhe i kemi përgatitur me strukturat e linjave të gazrave mjekësorë dhe ato shkojnë në 600 shtretër sot. Ndërkohë që në 2 spitalet rajonale që janë hapur aktualisht, i Durrësit dhe Shkodrës, janë 60 shtretër dhe 80 shtretër përkatësisht në dy spitalet”.

Të martën në Shqipëri u  hapën edhe 2 spitale rajonale që do të merren me trajtimin e të sëmurëve Covid, por jo në gjendje të rëndë. Në skenarin e parë të spitaleve rajonalë, Ministria e Shëndetësisë ka parashikuar deri në 650 shtretër së bashku me spitalin e Elbasanit, Korçës dhe Vlorës.

Tv Klan