Rritet ndjeshëm numri i të infektuarve, fillon forcimi i masave

Ardhja e vjeshtës po çon në rritjen e numrit te të infektuarve në të gjithë botën. Përkeqësimi i situatës ka bërë që shumë vende në Evropë t’i frikësohen valës së dytë dhe për këtë arsye kanë vendosur të ashpërsojnë masat.

Në Britaninë e Madhe qeveria po shqyrton mundësinë e një rimbyllje tjetër më të shkurtër se ajo e muajt Mars, pasi rastet me Covid-19 janë rritur shumë gjatë këtyre javëve të fundit. Aktualisht ky vend numëron 381 mijë të infektuar dhe më shumë se 41 mijë persona kanë humbur jetën që kur virusi u përhap.

Po ashtu edhe Italia vijon të shënojë një trend rritës për sa i përket viktimave dhe rasteve të reja me koronavirus në vend brenda 24 orëve.

Gjatë një dite u regjistruan 1585 të infektuar duke kapur totalin e 293 mijë, ndërsa numri i atyre që kanë humbur jetën ka arritur në mbi 35 mijë. Rajonet më të prekura që vijojnë të shënojnë më shumë raste të reja vijojnë të jenë Lombardia dhe Kampanja.

Rekord infektimesh ditore ka regjistruar edhe Gjermania me gati mbi 1900 raste. Çekia për gjatë këtij muaji është përballur me rritje të të infektuarve me gati 3000 raste në ditë, duke kapur totalin e 44 mijë shifra më të larta këto në krahasim me muajin Mars. Një javë më parë qeveria shqyrtoi mundësinë për rimbyllur vendin, por kjo së fundmi është hedhur poshtë pasi mund të dëmtojë edhe më shumë ekonominë.

Franca mund të konsiderohet si vatra e nxehtë e koronavirusit në Europë. Shifrat e infektimeve ditore vijojnë të jenë të larta me mbi 10 mijë raste të shënuara gjatë 24 orëve të fundit. Marseja dhe Bordoja janë qytetet me më shumë raste infektimesh.

India vijon që të qëndrojë në vend të dytë. Ritmet e infektimit në këtë vend janë më të lartat në botë. Në vetëm 24 orë u shënuan mbi 96 mijë infektime ditore duke kapur totalin e 5.2 milion të infektuar.

Aktualisht i gjithë globi numëron 30.3 milion të infektuar nga ku 950 mijë persona kanë humbur jetën.

Klan Plus