Moti i keq ka shkatërruar prodhimin në qindra hektarë në të gjithë juglindjen

Reshjet e breshërit të rëna pak ditë më parë kanë dëmtuar sipërfaqe të konsiderueshme me mollë në juglindje. Sipas drejtorit të bujqësisë në Korçë moti i keq ka dëmtuar qindra hektarë të mbjella.

“Në qarkun e Korçës afërsisht janë 45-50 hektarë, në bashkinë e Maliqit në njësinë administrative Pojanë me përafërsi janë 70-80 hektarë. Po kështu edhe në bashkinë e Devollit ka një sipërfaqe të madhe të dëmeve.”

Në terren ka nisur verifikimi i dëmeve.

“Po bëjmë përpjekje maksimale për të bërë verifikimin e dëmeve në bashkëpunim me specialistët e bashkive. Normalisht jo vetëm ne, por edhe ministria e Bujqësisë është në dijeni për situatën. Në ditët në vijim ne do të shohim se si do të jetë mundësia cila është baza ligjore mbi të cilën në do të veprojmë për të dhënë një ndihmë.”

Para drejtorisë së bujqësisë në Korçë këtë të premte shkuan një grup fermerësh të cilët kërkuan ndihmë për të përballuar këtë situatë.

“Katër hektarë pemtari, jemiu të shkatërruar jot ë dëmtuar. Presim nga qeveria të na japë një farë ndihme se ne më tutje nuk e vazhdojmë dot këtë lloj pune.”

“100%, 1.8 hektarë, s’ka rëndësi sipërfaqja, djersën s’po marrim.”

“Është viti i dyt, sivjet jam zero. Thash do marr shpenzimet, por nuk po marr dot asnjë gjë.”

Reshjet e breshërit nuk dëmtuan vetëm sipërfaqet e mbjella me mollë, por edhe kultura të tjera.

Klan News