Zaev: 40 mijë kompjutera për mësim në distancë

Si asnjëherë më parë, me një muaj vonesë, në kushte krejtësisht ndryshe nga vitet paraprake, me probleme të ndryshme në shkolla të cilët nuk i plotësonin kushtet, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut sot filluan mësimin.

Disa nga distanca e disa të pranishëm në shkollë. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës uroi këtë vit shkollor i cili sipas saj do të jetë ndryshe. Carovska u tha mësimdhënësve dhe drejtuesve të shkollave se ky vit do të jetë me plot sfida por sipas saj do t’ia dalim edhe në situata të tilla.

“Ky vit shkollor do të jetë ndryshe, por jam e sigurt se do të jetë interesant, për të gjithë ju, ju të gjithë keni maska mbrojtëse me shumë ngjyra, duken interesante, duhet vazhdimisht të flisni me mësimdhënësit tuaj për atë se pse i lani duart shpesh, dhe kjo është interesante, të gjitha shërbimet e shkollave i keni këtu për të ju shpjeguar gjithçka. Mësimdhënës, drejtor, e dimë se nuk do të jetë lehtë dhe do të ketë shumë sfida. Në këtë proces mësoni vazhdimisht edhe ju edhe ne, shteti përballet për së pari herë me këtë sfidë dhe jo sepse duam por sepse kështu është”.

I pranishëm në ceromoninë e fillimit të vitit shkollor, Kryeministri Zoran Zaev njoftoi se do të bëhen të gjitha përpjekjet që ky vit shkollor të jetë i suksesshëm dhe i barabartë për të gjithë nxënësit duke marrë parasysh problemet me të cilët po përballen disa shkolla.

“Procedura për blerjen e 40.000 kompjuterëve për ata fëmijë që nuk kanë pajisjet e nevojshme IT për të ndjekur mësimet online do të zgjasë më shumë, por do të bëhen të gjitha përpjekjet që çdo fëmijë të ndjehet i barabartë me të tjerët”.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe u është drejtuar prindërve, nxënësve dhe punonjësve të arsimit. Përmes një  video-mesazhi, ministri Filipçe ka theksuar se hapja e tërësishme e shkollave që e kanë zbatuar shumë vende është treguar si rrezik tejet i madh, kurse disa vende përjetuan dështim të plotë të sistemit dhe kthimin e kufizimeve të fuqishme.

“Besoj se për shumë prej jush, mënyra e re e fillimit të këtij viti shkollor po shkakton një ndjenjë pasigurie. E di që shumë duan që mësimi të zhvillohet ndryshe dhe sinqerisht i kuptoj të gjithë. Por, si një punëtor shëndetësor dhe përgjegjësi i parë në betejën me pandeminë, unë kërkoj mirëkuptim dhe mbështetje për të gjitha vendimet shëndetësore që kemi marrë në lidhje me procesin arsimor. Çdo vendim që kemi marrë është sjellë në mënyrë që të sigurojmë një proces arsimor të mirë, por edhe të sigurt. Dhe kjo është qasja e vetme e saktë në kushtet kur nuk ka zgjidhje ideale”, thotë Filipçe.

Në Maqedoninë e Veriut, mësimin online do ta ndjekin gjithsej 260.000 nxënës dhe 25.000 mësimdhënës. Rreth 40.000 nxënës kanë ngelur jashtë mësimit nga distanca për shkak se nuk i kanë mjetet e nevojshme për të ndjekur mësimin nga distanca. 

Tv Klan