11 kandidatët në garë për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit do të vlerësohen këtë të enjte nga Komisioni i Posaçëm.

Pas përfundimit të vlerësimit me pikë, rezultatet i bëhen me dije kandidatëve në garë, e më pas ato pasqyrohen në një raport përfundimtar i cili do t’i dorëzohet ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha.

Më pas njëri prej tyre i vlerësuar me pikët më të larta përzgjidhet nga vetë ministri dhe emri i tij i propozohet kryeministrit, Edi Rama.

Burime pranë Ministrisë së Brendshme bëjnë me dije se ky proces pritet të përfundojë të premten.

Pas firmosjes së emrit të propozuar, vendimi publikohet në Fletoren Zyrtare dhe menjëherë njëri nga kandidatët merr detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë duke pasuar Muhamet Rrumbullakun.

Ky i fundit u dorëhoq nga posti i rëndësishëm rreth 3 javë më parë, duke e lënë vakant vendin e kryepolicit, pozicion për të cilin shfaqën interes 15 drejtues dhe ish-drejtues policie.

Tv Klan