Kurum: Përfundojnë në korrik. Ahmetaj: Brenda vitit strehohen familjet në çadra

Agjencia turke e banesave do të nisë ndërtimin e 500 shtëpive në qytetin e Laçit në fund të këtij muaji.

Ministri turk i Mjedisit dhe Urbanizimit Murat Kurum ka mbërritur në Tiranë në një vizitë dy ditore, jo vetëm për të shprehur ngushëllimin e shtetit të tij në emër të presidentit Erdogan, nga pasojat që la tërmeti i 26 nëntorit, por edhe për të detajuar projektin e zhvillimit të një zone komunitare në Laç e cila do të strehojë 500 familje dhe një shkollë në këtë zonë.

 “Me porosi të presidentit Erdogan do të nisim ndërtimin e 500 banesave në fund të Janarit dhe kërkojmë që t’i mbarojmë brenda 6 muajve në mënyrë që në korrik të jenë gati për t’u futur familjet e pastreha në këtë zonë. Agjencia jonë Shtetërore e Banesave do të zbatojë këtë projekt, ajo ka një eksperiencë të madhe në këtë fushë dhe ka ndërtuar mbi 100 mijë banesa”, u shpreh ministri turk.

Ministri i shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj tregoi se pala shqiptare është në diskutim me atë turke edhe për ndërtimin e godinës së bashkisë së Thumanës. Ai tha se procesi i rindërtimit tashmë ka nisur dhe se parashikohet që brenda këtij viti do të strehohen në banesat e tyre familjet që janë në çadra, ndërsa brenda vitit 2021 të pastrehët e tërmetit të cilët po trajtohen me bonus qiraje.

Qeveria ndodhet në fazën e analizimit të zonave ku do të ndërtohet, për komunitetin në qarkun e Durrësit, Lezhës dhe Tiranës. Të gjitha lejet dhe procedurat për fillimin e këtij procesi do të bëhen me procedurë të përshpejtuar në mënyrë që të mos ketë vonesa.

Tv Klan