Në garë 44 subjekte dhe 144 kandidatë bashkish

Për 30 ditë, duke nisur nga kjo e premte deri në datën 13 Maj, 44 subjekte elektorale do përfshihen në fushatë për përballjen e lokaleve të 14 Majit.

Vetëm 6 parti do të grupohen në 2 koalicione, “Bashkë Fitojmë”, që drejtohet nga Partia Demokratike dhe Aleanca Liberale e Djathtë, ndërkohë që 38 subjekte të tjera do të jenë jashtë koalicioneve përfshirë dhe Partia Socialiste, e cila garon e vetme që prej zgjedhjeve të 2017.

Në total janë 23 788 kandidatë, nga të cilët 144 janë kandidatë për kryetar bashkie dhe të tjerë kandidatë për këshilltarë bashkiakë.

Në të 61 bashkitë do të garojnë 12 kandidatë të pavarur.

Ndërkohë fondi i përcaktuar për përballimin e kësaj fushate është 345 milionë lekë. Afro gjysma e këtij fondi, 150 milionë lekë, i është lënë Partisë Socialiste, si partia fituese e zgjedhjeve lokale të 2015 që janë marrë si referencë.

100 milionë do të shpenzohet nga grupimi i Enkelejd Alibeajt që njihet si drejtuesi de jure i Partisë Demokratike, ndërsa pjesa e mbetur do të shpërndahet për 42 subjektet e tjera elektorale që marrin pjesë në zgjedhje. Partia Demokratike e Sali Berishës nuk përfitoi asnjë fond për këtë fushatë, pasi nuk njihet nga KQZ si subjekt elektoral në këto zgjedhje.

Tv Klan