Zyrtarët e emigracionit i mohuan hyrjen e familjes në Kanada. Më pas, shqiptarit ia preu përfundimisht shpresat për ribashkim me gruan dhe fëmijët pandemia e Covid-19. I dëshpëruar, ai i kërkoi një miku të tij, po shqiptar, që t’i kalonte ata në mënyrë të paligjshme nga SHBA-ja në Kanada. Andrea Zafirati, shofer kamioni, pranoi.

“Ndoshta ky ishte një akt human për të ndihmuar një bashkatdhetar. Kjo është e lavdërueshme. Njerëzit shpesh ndihmojnë të tjerët nga vendi i tyre për të hyrë në Kanada… kjo është pjesë e asaj që e bën Kanadanë një komb të madh dhe një komb të mrekullueshëm për të jetuar”, tha gjyqtari Cameron Watson të enjten.

Megjithatë ai shtoi se mosndjekja e procedurave të duhura të emigracionit është një vepër e rëndë penale.

“Dashuria dhe vetmia nuk janë zëvendësim për ligjshmërinë në këtë rast“, vuri në dukje gjyqtari.

Zafirati, banor në Oakville, u gjobit me 5 mijë Dollarë për trafik të qenieve njerëzore. Zafirati u kap në Dhjetor të vitit 2021. Brenda trailerit të tij, një oficer i agjencisë kufitare të Kanadasë vuri në dukje në një dollap të vogël, flokë dhe të bardhën e një syri.

Brenda dollapit u gjet një grua ndërsa dy fëmijë ishin fshehur nën batanije në një krevat marinari aty pranë. Zafirati, nuk kishte precedentë të tjerë të mëparshëm. Ai nuk kishte kërkuar apo marrë ndonjë përfitim financiar për kontrabandimin e familjes së shokut të tij shqiptar përtej kufirit.

Gjykatës iu tha se babai shqiptar ishte i dëshpëruar të ribashkohej me familjen e tij pasi ishin ndarë për më shumë se dy vjet. Fillimisht atyre u ishin refuzuar viza. Më pas kalimet kufitare u mbyllën për shkak të Covid-19.

Megjithatë, gjykatësi tha se i pandehuri mund ta kishte çuar gruan me fëmijët në urë dhe më pas t’i linte të kalonin në Kanada, ku mund të kishin kërkuar statusin e refugjatit./tvklan.al