Në një ligjëratë të mbajtur si i ftuar nderi në Sesionin e Presidentëve të Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes në Uashington D. C., Presidenti i Republikës Bujar Nishani tha se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO mbetet pamëdyshje një histori suksesi.

Bujar Nishani, President i Shqipërisë:

“Këtë arritje kombëtare, ne nuk e kemi konsideruar si stacionin e fundit, por si fillimin e një faze të re, me detyrime dhe përgjegjësi shtesë për të realizuar integrimin e plotë në NATO dhe BE. Mbetemi mjaft të vetëdijshëm mbi parimin e ndarjes së barrës, jemi të vendosur për të përmbushur standardet dhe për të paguar koston e anëtarësimit.

presidenti-shba1

Nishani tha se me gjithë përmirësimet e pakrahasueshme, paqja e qëndrueshme dhe stabiliteti demokratik në Ballkan mbeten një mision i papërfunduar, që ende ka nevojë kritike për prezencën dhe kontributet e SHBA dhe NATO.

Bujar Nishani, President i Shqiperisë: “

Na duhet vizion, vendosmëri dhe kapacitete të afta në përballjen me

 

terrorizmin, krimin e organizuar, krizën financiare, qeverisjet e dështuara, trafiqet, korrupsionin, emergjencat civile,

 

që kërcënojnë më shumë se kurrë më parë sigurinë e qytetareve, stabilitetin e shoqërisë dhe interesat jetike në mbarë hapësirën tonë euro-atlantike.”

Presidenti zhvilloi edhe një homazh në Memorialin e Pentagonit, në vendin ku nderohen dhe përkujtohen 184 viktimat e sulmit terrorist të 11 Shtatorit 2001, i shoqëruar nga Ndihmës Asistenti i Sekretarit të Mbrojtjes, Michael Carpenter, i cili mbulon edhe bashkëpunimin ushtarak me Shqipërinë.

nishani-shba2

Fjala e plotë:

“I nderuar President i USMC, Gjeneral Padilla,

Të nderuar autoritete dhe akademikë të NDU,

Të dashur studentë dhe pedagogë,

Zonja dhe zotërinj pjesëmarrës!

Ndjehem shumë i nderuar t’i drejtohem sot këtij institucioni avangardë të mendimit strategjik dhe me kontribute të spikatura në çështjet e sigurisë në SHBA, NATO-s dhe në nivel global.

Kjo është hera e parë që vizitoj Universitetin e Mbrojtjes së SHBA. Por, ky institucion është mjaft i njohur në vendin tim, pasi me 100-ndra ushtarakë dhe civilë kanë përfunduar kurse të ndryshme në sistemin e edukimit të SHBA, përfshi edhe në NDU. Shumë prej tyre kanë drejtuar ose janë duke ushtruar funksione dhe përgjegjësi të larta jo vetëm në sistemin e sigurisë kombëtare, por dhe në fusha të tjera si ato të politikës, ekonomisë, legjislativit, qeverisjes vendorë, apo në drejtimin e negociatave dhe proceseve të integrimit të vendit tim.

Prandaj, dëshiroj t’ju falënderoj posaçërisht ju dhe stafin tuaj zoti Gjeneral, që më krijuat mundësinë të ndaj me këtë audiencë mjaft të ndriçuar disa këndvështrime dhe qëndrime për tematikën e pasqyruar në ekran.

Të nderuar pjesëmarrës!

Së pari: Pse anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është për Shqiptarët jo vetëm arritje madhore në fushën e sigurisë kombëtare, por edhe ngjarja e dytë gjeopolitike dhe historike pas themelimit të shtetit shqiptar 104 vjet më parë.

Për të siguruar një pamje sa më të qartë rreth vlerave që ka anëtarësimi në NATO për Shqipërinë dhe rajonin, dëshiroj t’Ju paraqes një përmbledhje të realizimeve dhe mësimeve të nxjerra nga ky udhëtim i suskesshëm.

Shqiptarët janë pasardhës të Ilirëve, ndër popujt me histori shumë të lashtë të Evropës, si dhe me një pozitë mjaft të lakmuar gjeo-strategjike në Adriatik dhe në Mesdhe. Por përpjekjet shekullore të Shqiptarëve për pavarësi u kurorëzuan vetëm në 28 Nëntor 1912. Midis Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, Shqiptarët bënë përpjekje të jashtëzakonshme për të garantuar “paprekshmërinë territoriale” si dhe për ndërtimin e shtetit me vokacion perëndimor.

Në Luftën e Dytë Botërore, Shqipëria iu bashkua pa mëdyshje koalicionit antifashist. Siç e ka përshkruar Henry Kissinger në librin e tij të shumë njohur “Diplomacy”, Shqipëria ishte një ndër të vetmet vende që u vetë-çlirua pa prezencën e Ushtrisë së Kuqe. Megjithatë, ajo iu “nënështrua fatit të vendosur nga orekset gjeopolitike të Stalinit” dhe kështu për fat të keq u rreshtua nën hegjemoninë e kampit lindor të Rusisë.

Është shumë interesante të njihet, një “vendimmarrje e guximshme, gati e çmendur”, në vitet 1960, për shkëputjen e Shqipërisë nga kampi lindor dhe nga Traktati i Vashavës, armikun potencial për të cilin ishte themeluar Aleanca e Atlantikut të Veriut në Prill 1949.

Në periudhën e Luftës së Ftohtë, vendi im u sundua nga paranoja kriminale e përjetësimit të pushtetit të regjimit komunist. U shpallën armiq si Traktati i Varshavës ashtu edhe NATO, si dhe të gjitha vendet fqinjë. Po ashtu, mbi qasjen e “mbështetjes në forcat e veta” dhe i “gjithë populli ushtar” u militarizua skajshëm jeta e shoqërisë dhe u rrënua ekonomia e vendit. Mbi paranojën e mbrojtjes “pëllëmbë për pëllëmbë”: rreth 1000 reparte ushtarake dhe mbi 300 mijë bunkerë u përhapën në çdo skaj të vendit; u ndërtua një forcë ushtarake me rreth 115 mijë forcë aktive dhe 300 mijë rezervë; 1000 gryka zjarri artilerie dhe 800 tanke; një force ajrore me mbi 100 avionë MIG, dhe flotë detare me më shume se 120 anije luftarake, përfshi edhe 4 nëndetëse, etj!

Kjo marrëzi komuniste konsumonte çdo vit deri 25 % të GDP të qytetarëve të vendit më të varfër të Evropës.

Mbi këtë trashëgimi fatkeqe, pas viteve 1990, Shqipëria u orientua pa hezitim drejt sigurisë Euro-Atlantike. Anëtarësimi në NATO nuk ishte “një fushë me lule, por një fushë-beteje”, me sfida të panumërta, me përpjekje, arritje, gabime dhe ndonjëherë edhe me dështime. Për të kuptuar vlerat e arritjeve dhe shkaqet e dështimeve, do të përpiqem tju përshkruaj shkurt udhëtimin e vendit tim drejt anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO), që u kurorëzua 7 vite më parë, në Prill 2009.

Për lehtësi, procesin e anëtarësimit e kam grupuar në tre faza kryesore: Faza e para-anëtarësimit (1992-2008), Faza e pas marrjes së ftesës (2008-2009), dhe Faza e përmbushjes së detyrimeve teknike të Anëtarësimit (Prill 2009 – Shtator 2013).

Në vitin 1992, mbas rrëzimit të regjimit komunist, Shqiperia ishte ndër të parat vënde që aplikoi dhe u pranua në Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut (NACC). Në vitin 1994 nënshkruam Dokumentin Kuadër të Partneritetit për Paqe (PfP). Në 1995 paraqitëm Programin e parë Individual (IPP) dhe u përfshimë në proçesin e Planifikimit dhe Rishikimit të Partneritetit (PARP). Gjatë vitit 1996, zhvilluam një dialog mjaft intensiv me NATO-n. Në Maj 1999, në Samitin e Washingtonit, Polonia Cekia dhe Hungaria u pranuan anëtare, ndërsa 10 vende: Shqipëria, Bullgarinë, Rumaninë, Slloveninë, Sllovakinë, Kroacinë, Maqedoninë dhe 3 vendet Baltike, u konfirmuan në Planin e Veprimit për Anëtarësim (MAP), 7 prej të cilave u anëtarësuan në Samitin e Stambollit 2005. Në Prill 2008, morëm ftesën dhe në Samitin e Prill 2009, Shqipëria dhe Kroacia e zgjeruan në 28 numrin e antarëve të NATO-s.

Në rrugëtimin e anëtarësimit të plotë në NATO (208-2013), Shqipëria realizoi një transformim thelbësor të konceptit të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare. Nga koncepti i mbrojtjes individuale, u kalua në konceptin e mbrojtjes kolektive. Pas anëtarësimit siguria e vendit është me sigurt se asnjëherë në historinë 104 vjeçare të shtetit shqiptar.

Në gjykimin tim, një ndër sfidat themelore në reformat e sigurisë dhe mbrojtjes së vendit ishte sfida e ndryshimit të mentalitetit. Njerëzit, ushtakakët dhe civilët e sistemit të sigurisë, ishin në qendër të kësaj sipërmarrjeje që synonte një sistem modern të sigurisë dhe mbrojtjes, me strategji, lidership, organizim, infrastruktura, stërvitje dhe pajisje bashkëkohore. Sot kemi një forcë ushtarake 100% profesioniste me rreth 9000 personel, gati 13 herë më e vogël se forca e trashëguar nga regjimi komunist dhe 90 herë më pak struktura, instalime dhe infrastruktura ushtarake. Por një forcë më cilësore, më të mirë-trajnuar dhe pajisur për misionet e sotme. Eliminuam MIG-ët, anijet e mëdha luftarake, nëndetëset, tanket dhe artilerinë e rëndë. Resurset që ato gllabëronin iu alokuan njësive prioritare me kapacitete të dislokueshme. Me mbështetjen e SHBA dhe aleatëve, në 20 vitet që lamë realizuam një “projekt shembullor” duke demontuar të rreth 300.000 ton municione si dhe disa dhjetëra tonë lëndë kimike të trashëguara nga regjimi komunist.

Buxheti i mbrojtjes në vitin 2009 arriti në 2% të GDP-së, dhe rreth 25% e tij u alokua për projekte të mëdha të modernizimit, si: Vëzhgimi i Hapësirës Detare, Anijet e Patrullimit, Helikopterët CUGAR, Grup Battalioni për NATO-n, Kursi i Lartë Rajonal për Sigurinë dhe Mbrojtjen, si dhe u nënshkruan disa dhjetra marrëveshje mirëkuptimi për: Inteligjencën, Forcat Speciale, njësitë e reagimit të shpejtë, Protokollin e Parisit / SOFA, shkëmbimin e informacionit të klasifikuar; etj.

Në rrugëtimin e integrimit, rritëm nivelin e ambicieve, sasinë dhe cilësinë e kontributeve në operacionet ndërkombëtare të drejtuara nga NATO, BE dhe UN. Prej vitit 1996, rreth 8000 djem dhe vajza ushtarakë shqiptarë kanë marrë pjesë në operacionet në Bosnjë, Irak, Afganistan, Kosovë, Gjeorgji, Ukrainë, Mali, etj. Nga 35 vetë në vitin 1996, në rreth 450 vetë njëherësh në vitin 2012. Po ashtu, më shumë se 500 nënoficerë dhe oficerë, deri kolonel dhe gjeneralë, kanë kontribuuar në shtabet e NATO-s, strukturat e forcës, përfaqësitë kombëtare, atashe ushtarak, etj, të cilët sot përbëjnë një aset mjaft të çmuar në fushën e planifikimit dhe drejtimit të FA. Pikërisht për këto arritje, në vitin 2012, Shqipëria meritoi përcaktimin zyrtar si “një ndër 5 vendet model në përmbushjen e detyrimeve në kuadër te NATO-s”.

Dëshiroj të konfirmoj se ndër elementët me peshë kritike ne këtë udhëtim ka qenë edhe vullneti dhe konsensus i gjerë politik. Të gjitha partitë politike në Shqipëri kanë mbështetur dhe mbështetin çështjet e integrimit ne NATO dhe BE. Po ashtu, kemi patur dhe vijojmë të kemi një mbështetje të jashtëzakonshme të opinionit publik: mbi 90 % e shqiptarëve, një shifër gati të “pabesueshme” edhe për vetë vendet themeluese aleate dhe partnere.

Po ashtu, dëshiroj të ri-përsëris dhe nënvizoj se anëtarësimi në NATO nuk ka qenë thjesht një proces reformash vetëm në fushën e mbrojtjes, por edhe një mekanizëm i fortë për të demokratizuar, evropianizuar dhe modernizuar shtyllat themelore të shtetit: Politikën, Ekonominë, Kuadrin Ligjor, Financat dhe pushtetin e Informacionit.

Të dashur miq,

Krahas arritjeve të merituara për anëtarësimin, nuk mund të lemë pa përmendur që në këtë proces dhe udhëtim të gjatë ne kemi mësuar shumë edhe nga gabimet e bëra. Fjala ime nuk do të konsiderohej e plotë pa i përmendur këto gabime edhe mësimet e nxjerra prej tyre.

Cilat mund të jenë disa mësimet e nxjerra në këtë proces? Izolimi i gjatë, eksperienca e pakët, lidership i pa-arsimuar, mos-adresimi sa/si duhej i pasojave sociale, diferenca midis nivelit të ambicies dhe burimeve kombëtare, balancimi i pushteteve të kontrollit demokratik dhe drejtimit strategjik, shpërdorimi politik i institucioneve të sigurisë, menaxhimi i personelit të arsimuar në perëndim, zhvillimi i kapaciteteve ushtarake të pa-integruara me ato civile, mos-mbështetja e Objektivave të Forcës (Force Goals), ulja e shpenzimeve për mbrojtjen në me pak se 1 % te GDP-se, etj.

Në përmbyllje të kësaj rubrike, si ish-pedagog në universitetin shqiptar të mbrojtjes, si ekspert në strukturat e integrimit, si politikan, si ministër në instituciont e zbatimit të ligjit dhe sigurisë publike, si President dhe si Komandant i Përgjithshëm i FA, dua të ndaj me ju një impresion shumë personal: fillimet e këtij procesi i kujtoj gjithmonë me nostalgji. Ishim djem fare të rinj, plot me ëndrra, aspirata, por nuk kishim përvojën e duhur. Më besoni, nuk ka qenë aspak e lehtë të kapërcenim pasojat e izolimit 50 vjecar. Dhe siç besoj ta dini, reformat shumë shpesh shoqërohen me vendimmarrje të vështira, ndonjëherë edhe të dhimbshme nga ana sociale.

Së dyti, dëshiroj të bëj një vlerësim pse bashkëpunimi SHBA-Shqipëri, ka mbajtur dhe mbetet me peshë kritike për sigurinë kombëtare, të rajonit, NATO-s dhe me gjerë?

Të nderuar pjesëmarrës,

Ne jemi një komb, që mirënjohjen dhe mikpritjen i kemi të rrënjosura si “vlera të çmuara të trashëgimisë kombëtare”. Para me shumë se 2 vjetësh, pata privilegjin të prisja në Tiranë Shënjtërinë e Tij, Papa Françeskun, dhe i shpreha se këto vlera, mishërohen në kodin zakonor të shqiptarëve: “Shtëpia e Shqiptarit është e Zotit dhe e Mikut”. Prandaj, si President i Republikës dëshiroj që në emër të qytetarëve të vendit tim, të përsëris edhe para kësaj audiencë mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e jashtëzakonshme, konstante dhe të pakushtëzuar që SHBA i ka dhënë kombit Shqiptar në këto 104 vjet të përpjekjeve për pavarësi, shtet-formim, demokraci dhe prosperitet. Në pamundësi për të përmendur çdo kontribut, më poshtë po ndriçoj vetëm disa nga protagonistet, ngjarjet dhe arritjet madhore që janë të skalitura në memorjen e nderit të historisë sonë kombëtare:

Mbështetja historike e Presidentit të SHBA, Woodrow Wilson, në jetësimin e pavarësisë së Shqipërisë; vizita e Sekretarit te Shtetit James Baker në udhëkryqin e përmbysjes së regjimit në vitin 1991, dhe mesazhi i Tij para 300 mijë shqiptarëve se “Liria funksionon”; roli vendimtar i SHBA në çlirimin dhe pavarësisë së Kosovës dhe ndryshimin e hartës gjeopolitike të Ballkanit; vizita e parë historike e Presidentit Xhorxh Bush dhe mbështetja kritike për anëtarësimin në NATO; investimi konstant të Uashingtonit për ndërtimin e demokracisë funsionale, shtetin e të drejtës; dekriminilizimin e institucioneve, reformën në drejtësi, luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe mbështetjen në realizimin e aspiratës së Shqiptarëve për integrimit në NATO dhe BE.

Do të ishte e pasinqertë dhe njëkohësisht e padrejtë të mos përmendja edhe sot me mirënjohje fushatën ushtarake të NATO-s, të drejtuar nga komandanti dhe Gjenerali i mirënjohur në hapësirën mbarë-shqiptare Wesley Clark, dhe rolin fondamental të SHBA për pavarësinë e Kosovës. Në rrafshin kombëtar, kjo përbën po ashtu një arritje gjeopolitike dhe historike. Dhe meqë jemi te Kosova, do të doja të konfirmoja angazhimin tim konstant, me të gjithë faktorët dhe aktorët në Shqipëri dhe Kosove për të jetësuar mesazhin-mision të ish-Presidentit Amerikan Bill Klinton pas luftës në Kosovë: “ne ju sollëm lirinë, ju duhet të ndërtoni paqen”.

Mbetem specifikisht mirënjohës për mbështetjen që SHBA i ka dhënë vendit tim në të gjitha fazat e anëtarësimit në NATO. Falë kësaj mbështetje, Shqipëria u trasformua nga një vend konsumues i sigurisë në një vend kontribuues për paqen dhe sigurinë. Dëshiroj të përmend me mirënjohje ish-Sekraterin e Mbrojtjes së SHBA, William Perry, iniciatorin e lançimit të Partneritetit për Paqe në vitin 1994 dhe arkitektin i ndërtimit të një platforme afatgjatë të partneritetit strategjik midis dy vendeve tona. Më konkretisht, përmend se dokumentet themelore (SSK, SU, LTDP), 3 Vlerësimet Strategjike 2000, 2006, dhe 2013, dhe ristrukturimi i FA nuk mundet të kryheshin me cilësi pa mbështetjen e SHBA. Dhe besoj se jam në vendin dhe kohën e duhur, tu shpreh mirënjohjen time emër për emër, të gjitha Autoriteteve dhe stafeve në Departamentin e Shtetit, në Pentagon, Ambasadorëve, Zyrës së Bashkëpunimit Bilateral në MM, dhe Atasheve Ushtarakë, deri te Commander Samuel Wartel, që i është bashkuar stafit tim në këtë vizitë, – për angazhimin dhe kontributet e jashtëzakonshëm që kanë dhëne për vendin tim në këto 25 vite.

Nga ana tjetër, gjej rastin të nënvizoj se në këto 25 vjet, Shqipëria ka qenë jo vetëm përfituese e dorës së parë, por edhe kontribuese me peshë kritike në jetësimin e iniciativave dhe projekteve të SHBA për ta çliruar Ballkanin nga tradita e përgjakshme e konfliktit. Kështu, ne shqiptarët përveç se i jemi mirënjohës SHBA, jemi njëkohësisht edhe krenarë që kemi kontribuar në këtë udhëtim të vështirë të Ndërtimit të Paqes, të Masave të Mirëbesimit Reciprok, stabilitetin social si dhe mbjellë modelin e harmonisë fetare në rajon dhe më gjerë. Si të tilla, mundet të përmendim se jo fare rastësisht Inisjativat rajonale, përkatësisht SEDM (South East Defence Ministerial) në 1996 dhe Adriatic-3 në 2003, janë nënshkruar në Tiranë. Këto iniciativa, dhe të tjera si këto kanë shërbyer si mekanizma ndihmues, për anëtarësimin e vendeve të rajonit në NATO dhe vazhdojnë të kontribuojnë për integrimin në BE.

Në përfundim të kësaj çështje, gjykoj se me gjithë përmirësimet e pakrahasueshme, paqja e qëndrueshme dhe stabiliteti demokratik në Ballkan mbeten një mision i papërfunduar, që ende ka nevojë kritike për prezencën dhe kontributet e SHBA dhe NATO. Nga ana tjetër, mundet të them se bashkëpunimi SHBA-Shqipëri mbetet i një rëndësie strategjike për interesat e të dy vendet tona si dhe me vlera jetike për gjeopolitikën e rajonit tonë.

Së treti, jam shumë i sigurt se të gjithë ju në këtë auditorium jeni të interesuar të dini se cili është niveli i ambicies së këtij vendi të vogël ? Kush mund të jetë roli, e përfitimet, dhe detyrimet e Shqipërisë në NATO, si dhe çfarë roli mundet të luajë në rajon? Cilat janë disa nga qëndrimet e RSH ndaj kërcënimeve dhe sfidave madhore të NATO-s?, etj.

Anëtarësimi në Aleancë mbetet pamëdyshje një histori suksesi. Këtë arritje kombëtare, ne nuk e kemi konsiderar si stacionin e fundit por si fillimin e një faze të re, me detyrime dhe përgjegjësi shtesë për të realizuar integrimin e plotë në NATO dhe BE. Mbetemi mjaft të vetëdijshëm mbi parimin e ndarjes së barrës, jemi të vendosur për të përmbushur standardet dhe për të paguar koston e anëtarësimit.

Vetëm më pak se 3 muaj në Varshavë, u zhvillua Samiti i 27 i NATOs. Ky Samit u mbajt në momente kritike, në kufijtë Jugore dhe Lindore të Aleancës sonë të përbashkët. Samiti u mbajt në pas përshkallëzimit të rreziqeve nga terrorizmi dhe ekstremizmi e dhunshëm në Francë, Belgjikë, Turqi, kur sfidat, angazhimet, dhe pritshmëritë nga Aleanca jonë e përbashkët janë më të mëdha që nga koha e luftës së ftohtë. Në vijim, po artikuloj disa nga qëndrimet e RSH për çështjet më të nxehta të pas-Varshavës:

“Shqipëria mbështet përpjekjet për ta adaptuar dhe transformuar Aleancën në përputhje me zhvillimet e mjedisit strategjik të sigurisë. Ajo mbështet çdo iniciativë dhe programet për zhvillimin diplomacisë së efektshme dhe kapaciteteve ushtarake të afta, në mënyrë në kuadër të artikullit 5 të NATO-s, të mbrojë territoret e saj nga çdo kërcënim, në çdo kohë, dhe nga çdo drejtim që të vijnë. Çmojmë si vlera komplementare dhe mbështesim forcimin e marrëdhënieve me BE dhe strukturat e tjera të sigurisë globale. Shqipëria do të mbajë barrën dhe do të vijojë të kontribuojë në operacionet e Aleancës në Afganistan, Irak, Kosovë, Bosnje Hercegovinë, Gjeorgji, Ukrainë, krizën e refugjateve, dhe garanton votë të “pakushtëzuar” për angazhimet në kuadër të mbrojtjes kolektive.

Shqipëria ndjek me shqetësim demonstrimin e fuqisë së armëve në kufijtë lindorë të Aleancës dhe ambicieve të Rusisë në rajonin e Ballkanit. Ajo bashkohet me Aleancën për të ri-konfirmuar parimin e mbrojtjes kolektive ndaj kërcënimeve të çdo vendi anëtar dhe është e gatshme që të përmbush detyrimet me kapacitetet kombëtare për këtë qëllim. Po ashtu, mbështesim qasjen dhe projektet e përbashkëta ndaj kërcënimeve asimetrike të sigurisë: “terrorizmi, rreziqet kibernetike, konfliktet civile, shtetet e dështuara, ekstremizmi i dhunshëm, krimi i organizuar, trafiqet e paligjshme, siguria e mjedisit, emergjencat civile, përballimin e krizës së refugjatëve, etj.

Shqipëria e çmon forcimin marrëdhënieve trans-atlantike dhe veçanërisht rolin jetik të SHBA në Aleancë. Dëshiroj të jem i drejtpërdrejtë: pa fuqinë ushtarake (përfshi nukleare) të SHBA nuk mund të zbatohet strategjia e “frenimit” dhe nuk mundet të ketë një NATO të fuqishme për artikullin 5. Siç mundet ta dini, sot barra e buxhetit dhe kapaciteteve që mban SHBA në raport me 27 vendet e tjera është në kufijtë e 80 me 20% nga rreth 60 me 40% që ishte para viteve 1990. Prandaj, në 10 vitet e fundit, përfshi edhe në këtë Samit, Autoritetet e SHBA kanë kërkuar më shumë përgjegjshmëri në ndarjen e drejtë të barrës. Kjo kërkon që ne, udhëheqësit e vendeve evropiane, t’i përmbahemi angazhimeve që nënshkruhen në Samite, për arritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 2% të GDP-së.

Në samit, Shqipëria konfirmoi “votën pro” pranimit të Malit të Zi, me bindjen se ky zgjerim do të shërbejë sigurisë, paqes dhe stabilitetit në rajon si dhe interesave strategjike të NATO-s. Po ashtu, mbështesim fort përpjekjet e Maqedonisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës për anëtarësimin ne NATO. Shqipëria angazhohet të mbështesë me ekspertizë dhe eksperiencën e saj 7 vjeçare, udhëtimin e këtyre vendeve në rrugën e tyre drejt anëtarësimit të plotë. Na ana tjetër, jemi të gatshme për zhvillimin e projekteve dhe kapaciteteve të përbashkëta “smart”, për vëzhgimin e hapësirës ajrore dhe policimin ajror, mbrojtjen kibernetike, luftën kundër terrorizmit, shkëmbimin e informacionit, emergjencat civile, etj. Ne besojmë fuqimisht se kjo qasje është mënyra më e gjetur për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e të gjithë rajonit dhe kontributi i rajonit ndaj Bashkimit Evropian.

Shqipëria është një vend model i harmonisë fetare; ka një Strategji Ndërinstitucionale për Luftën Kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, ka një bashkëpunim shembullor me shërbimet e inteligjencës të SHBA (CIA&FBI), dhe vendeve të Rajonit. Po ashtu në kuadër të NATO-s ka lançuar ngritjen e një Qendre Ekselence për Luftëtarët e Huaj. Synimi këtyre projekteve është të kontribuojnë për sigurinë kombëtare, të rajonit, të vendeve të NATO-s dhe më gjerë.

Në përmbyllje, është mjaft evidente që rreziqet asimetrike, me shumë gjasa do të dominojnë gjatë spektrin e rreziqeve ndaj shoqërive demokratike dhe qytetarëve. Koha na ka mësuar, se asnjë vend nuk mund të përballet i vetëm me këto rreziqe, siç edhe asnjë vend nuk mund të jetë imun prej tyre. Terroristët po na kërcënojnë përditë vlerat themelore dhe sigurinë e qytetareve. Ata kërkojnë të na imponojnë mënyrën e tyre të jetesës. Prandaj gjykoj se është jetike, që ne, vendet e NATO, të përmirësojmë rrënjësisht efiçencën e Sistemit të Sigurisë dhe Mbrojtjes (strategjitë, strukturat, buxhetin, pajisjet, trajnimin, personelin dhe rregullat e angazhimit). Na duhet vizion, vendosmëri dhe kapacitete të afta në përballjen me terrorizmin, krimin e organizuar, krizën financiare, qeverisjet e dështuara, trafiqet, korrupsionin, emergjencat civile, që kërcënojnë më shumë se kurrë më parë sigurinë e qytetareve, stabilitetin e shoqërisë dhe interesat jetike në mbarë hapësirën tonë euro-atlantike.

Dhe, për të përmbyllur këtë ligjëratë, jo rastësisht kam përzgjedhur fjalët e ish-Presidentit John Kennedy, në hapjen së Konferencës së Munihut për Sigurinë të vitit 1963: “T’i hedhim sytë përtej rreziqeve të së sotmes, te shpresat e së nesërmes”, si dhe atë që 50 vjet më vonë zonja Hillary Clinton, ish-Sekretare e Shtetit, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në fjalimin-mesazh para Kuvendit të Shqipërisë: “Do të qëndrojmë me ju për njëqind vjet dhe me pas, edhe për njëqind vitet e tjera pas tyre.”.

Si dëshmitar dhe aktor i udhëtimit të vendit tim drejt integrimit në NATO, dhe BE, unë besoj fort te fuqia e lirisë dhe funksionaliteti i demokracisë. Po ashtu, mbetem shpresëplotë, se ne si komb, por edhe si rajon, me mbështetjen e SHBA dhe partnerëve perëndimorë do të mundemi të përmirësojmë standardet e demokracisë, shtetin ligjor, klimën e mirëbesimit reciprok, nivelin e sigurisë kombëtare, stabilitetin e shoqërisë dhe prosperitetin e qytetarëve në rajon që po i përmbledh me një fjali: ‘Na duhet të punojmë për publikun dhe për qytetarët tanë!’ Ju faleminderit!”

Në përfundim të ligjëratës Presidenti Nishani iu përgjigj pyetjeve nga të pranishmit e shumtë dhe interesimit të tyre.