Nishani: Kandidatët, baza për të fituar zgjedhjet


Nishani: Kandidatët, baza për të fituar zgjedhjet

15:43 08/08/2020

Transparencë e gjithëpërfshirje në përgjedhjen e tyre

Ish-Presidenti Bujar Nishani, të cilit Lulzim Basha i besoi verifikimin e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike thotë se risia në procesin e nisur në selinë blu është baza për të fituar zgjedhjet. Ekipi me të cilin demokratët kërkojnë fitoren në betejën elektorale të radhës, sipas Kryetarit të Këshillit Kombëtar duhet të bazohet në dy kolona të rëndësishme.

“Së pari është transparenca e vetë procesit që do të reflektojë vërtetësinë e pritshmërive që ka jo vetëm struktura e partisë dhe publiku dhe kolona e dytë gjithëpërfshirja”.

Rikthimin e dy kolegëve të tij Rruli e Mustafaj, të njohur ndryshe edhe si kritikë të lidershipit Basha e sheh si hapje të Partisë Demokratike. Gjithëpërfshirja thotë se duhet të jetë kombinim i elitave dhe promovimit të të rinjve në radhët e demokratëve.

“Është një proces, i cili lë hapësirë për këdo, jo vetëm për të gjithë atë grupim njerëzish që ka qenë pjesë përfaqësuese apo me eksperiencë e partisë. Çështja e gjithëpërfshirjes është e një dimensioni shumë më të lartë”.

Ndër vite i besuan jo vetëm detyra të larta partiake, por edhe shtetërore. Politikën e sheh si profesion dhe nëse demokratët do e propozonin për t’i përfaqësuar, Bujar Nishani është i gatshëm të japë sërish kontributin e tij.

“Patjetër që do të mbetem i gatshëm për t’u kandiduar. Çështja e kandidimit është një çështje që nuk varet vetëm nga dëshirat dhe vullneti individual, por duhet pasur nga vullneti i partisë që duhet të të mbështesë dhe faza e fundit ajo e mbështetjes popullore. Sa kohë jam në politikë do të vazhdoj të jap kontributin tim në kuadrin e politikës si një profesion”.

Me nisjen e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve, demokratët nisën edhe fushatën elektorale. Dhe për ish-Presidentin Nishani pavarësisht sfidave më të cilën opozita u përball nga prishja e njëanshme e marrëveshjes së 5 Qershorit, ballafaqimin politik e sheh si të vetmen mënyrë për të sfiduar kundërshtarin.

“Ne nuk kemi mënyrë tjetër për ta rrëzuar këtë model politik veçse procesit zgjedhor. Cilado qoftë taktika drejt aktit final, akti final mbeten zgjedhjet. Nuk ka asnjë alternativë për të qenë fitues duke shmangur zgjedhjet”.

Deri në 15 Shtator komisioni 5 anëtarësh ku bën pjesë edhe ish-Presidenti Nishani do të verifikojë mbi 3 mijë kandidatura të propozuara nga anëtarësia. Procesi i përzgjedhjes do të kalojë në dy faza, për t’u rikthyer në bazë ku kandidatët do të votohen përmes parimit “një anëtar, një votë”.

Tv Klan




Të ngjashme