“Grupi për PD” dhe ish-Presidenti: Basha ka përfituar nga PD, ka shkatërruar partinë

Grupi për PD dhe kryetari i Këshillit Kombëtar, Bujar Nishani i cilësojnë anti-statutuore vendimet e marra në Kuvendin Kombëtar të shtunën. Nishani shprehet nëpërmjet një postimi në “Facebook” se Kuvendi ishte një teatër absurd pasi nuk pati diskutime për analizën e vërtetë të humbjes se zgjedhjeve të 25 Prillit, por për të mbuluar përgjegjësitë e kryedemokratit Lulzim Basha.

Si shumë fenomene që po i ndodhin PD për herë të parë në historinë e vet, ashtu dhe Kuvendi i saj Kombëtar për herë të parë u kthye në një teatër absurd! Kuvendi Kombëtar i PDSH u mblodh jo për të adresuar hallin politik të PD e demokratëve, të opozitës shqiptare e vuajtjeve të shqiptarëve, por u thirr për të mbuluar hallin politik të Lulzim Bashës. Situata e rëndë për PD dhe opozitën si institucion kërkonte krejt tjetër gjë”.

Për ish-Presidentin Këshilli i ri Kombëtar që u votua të shtunën nuk përfaqëson demokratët në vendin tonë.

Nishani ka shprehur kritikat e tij ndaj kreut të demokratëve, duke bërë atë përgjegjës për dobësimin e PD.

Lulzim Basha pasi e ka zvogëluar, dobësuar dhe kthyer Partinë Demokratike pothouajse në një organizatë me kohë të pjesshme, tashmë po injekton në të edhe mungesën e seriozitetit. Lulzim Basha nuk do garë se nuk do hapjen e partisë. Ai veç ka përfituar nga sakrificat e të tjerëve dhe vetë është ulur direkt e këmbëkryq mes tepsisë së hallvës që prej ditës së parë të katapultimit fatkeq në kupolën vendimarrëse të PD. Lulzim Basha nuk e di as se çfarë është shteti, sepse puna e parë që ka bërë në Shqipëri është Ministër! Të gjitha këto privilegje do të kishin vlerë nëse Lulzim Basha do t’ia kishte shpërblyer me punë e rezultat politik PD-së dhe anëtarësisë së saj”.

Ish-Presidenti flet për një përulje të Bashës ndaj Ramës.

Ka 8 vjet që sa herë Edi Rama i fut një shpullë në faqe Lulzim Bashës, ky i kthen faqen tjetër. Sapo i vjen shpulla e radhës në faqen tjetër, i rikthen faqen e parë”.

“Problemi nuk është se na dhimbset faqja mavi e Lulzim Bashës nga shpullat e Edi Ramës, por na ka nxirë fytyrën të gjithëve pasi ky paraqitet faqe botës si kryetari i PD dhe si alternativa qeverisëse e Shqipërisë”.

Nishani thotë se në statut duhet të ishte ndryshuar dhe struktura garuese për kryetar si dhe për përzgjedhjet e strukturave të tjera të PD.

Klan News