Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, mbylli vizitën në Kosovë. Kreu i shtetit zhvilloi homazhe dhe vendosi një kurorë në varrin e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Nishani u përul me respekt dhe përkujtoi veprën dhe sakrificën sublime të heronjve, duke u ndalur te shtatorja e komandantit Zahir Pajaziti si edhe në monumentin e Lirisë në Raçak.

Para qytetarëve të shumtë që dolën ta prisnin, Presidenti shqiptar tha se “Masakara e Raçakut sensibilizoi opinionin ndërkombëtar për krimet që po kryente Serbia mbi popullsinë dhe qytetarët e thjeshtë të Kosovës. Raçaku, vijoi Nishani, duhet të jetë një vend pelegrinazhi për të gjithë shqiptarët, për të mos harruar asnjëherë të shkuarën tonë të dhimbshme dhe për të ndërtuar një të ardhme sa më të mirë”.

Më pas Presidenti Nishani vizitoi kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz si edhe kullën legjendare të familjes Jashari.

Kreu i shtetit u ndal edhe në familjen Haradinaj, ku vlerësoi me Dekoratën “Nder i Kombit” heronjtë e lavdishëm të Luftës Çlirimtare, prijësit dhe frymëzuesit në rrugën e lirisë së Kosovës, Luan dhe Shkëlzen Haradinajn.

Gjatë vizitës në Kosovë Presidenti Nishani u prit nga krerët më të lartë të shtetit dhe mori titullin “Qytetar Nderi” në komunat e Prizrenit, Gjilani dhe Drenasit.

/ TvKlan