Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në ditën e dytë të vizitës në Bruksel është pritur në një takim të veçantë nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO -s, Jens Stoltenberg. Bashkë me delegacionin zyrtar që e shoqëron, Nishani dhe Stoltenberg kanë diskutuar për afro 45 minuta, mbi çështjet e sigurisë së rajonit dhe të kufijvë të NATO -s, luftën kundër terrorizmit dhe mbështetjen e ndërsjelltë mes vendeve anëtare.

Pas takimit në konferencën e përbashkët për shtyp, Presidenti Nishani siguroi Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg për kontributin e Shqipërisë në forcimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

“Shpreh mirënjohjen për mbështetjen multindimensionale që NATO dhe vendet anëtare të saj i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë. Kërcënimet që vijnë nga terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm në Jug të Aleancës dhe në Lindje, bëjnë të nevojshëm forcimin e Aleancës. Sigurova Sekretarin e Përgjithshëm për mbështetjen e Shqipërisë për sigurinë në rajon dhe me gjerë. Shqipëria duhet të vazhdojë në drejtim të forcimit të mbrojtjes duke rritur buxhetin deri sa të arrihen standardet e kërkuara nga NATO. Shqipëria mbështet politikën e dyerve të hapura në NATO dhe inkurajon Maqedoninë dhe Malin e Zi në përpjeket e tyre për anëtarësimin në Aleancë, pasi kjo do të krijojë më shumë stabilitet dhe siguri në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Sekretari i Përgjithshëm, Stoltenberg vlerësoi kontributin e Shqipërisë në misionet dhe angazhimet e NATO -s.

“Jam shumë mirënjohës për praninë e Shqipërisë në Aleancë dhe kontributin e saj në misionet e NATO -s, si dhe në luftën kundër terrorizmit. Shqipëria po punon për stabilitetin e rajonit, si dhe mbështet politikën e dyerve të hapura. Jemi mir3ënjohës edhe për përpjekjet e shqipërisë për të mbajtur NATO-n të fortë. Vlerësojmë gjithashtu përpjekjet për të rritur buxhetin për mbrojtjen, pasi kjo do të forcojë Shqipërinë dhe NATO -n. Gjithashtu vlerësojmë edhe përpjekjet kundër fenomenit të luftëtarëve të huaj të Shtetit Islamik”.

Gjatë vizitës së tij në Bruksel, Presidenti Nishani u takua me autoritetet më të larta të Bashkimit Europian, Presidentin e Parlamenti, Martin Schulz dhe Presidentin e Këshillit të BE -së, Donal Tusk.

Erjon Todhe/Tv Klan