Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, përsëriti mbrëmjen e së enjtes në emisionin “Opinion” në Tv Klan se opozita shqiptare nuk ka asnjë projekt dhune për protestën e nesërme.

Gjatë një lidhje të drejtpërdrejtë, Nishani akuzoi Policinë e Shtetit se po intimidon opozitën dhe qytetarët shqiptarë.

Blendi Fevziu: Zoti Nishani nesër është lajmëruar një protestë, ndërkohë policia thotë në një deklaratë zyrtare që ka informacione që njerëz të dhunshëm do të tentojnë të hyjnë brenda godinës së parlamentit. Keni informacione për këtë gjë dhe a ka një plan PD për të krijuar përplasje mes militantëve të PD dhe Policisë së Shtetit?

Bujar Nishani: Deklarata e Policisë së Shtetit, apo e disa kokave të nxehta në Policinë e Shtetit është një deklaratë që e inkriminon Policinë e Shtetit. Pse e them e inkriminon?

Sepse Policia e Shtetit ka tentuar jo vetëm të intimidojë opozitën shqiptare dhe qytetarët shqiptarë nga një e drejtë themelore kushtetuese për sa i përket të drejtës së tyre siç është protesta, por ka tentuar të inkriminojë aktivitetin e opozitës legjitime në vend. Dhe ky është rasti i dytë pas atyre dy akteve të rënda që kanë ndodhur në Kuvend.

Partia Demokratike dhe aleatët e saj, partitë opozitare nuk kanë asnjë projekt dhune, nuk kanë asnjë programim dhune. Është manifestimi i asaj pakënaqësie qytetare dhe i asaj persistence qytetare për të qëndruar përballë institucioneve ilegjitime. Atyre institucioneve që duhet t’i rikthehen vullnetit të qytetarëve dhe të mos mbahen më peng të atyre që nuk u takon.

/tvklan.al