Ish-presidenti: Në 8 vite Basha ka forcuar pushtetin e Ramës, Kuvendi Kombëtar ishte fasadë

Ish-Presidenti Bujar Nishani mendon se PD po shkon drejt zhbërjes si alternativë qeverisëse për qytetarët nëse kryedemokrati Lulzim Basha vijon të mos analizojë problemet që kanë strukturat e partisë. Ndonëse nuk ishte i pranishëm në punimet e Kuvendit Kombëtar, Nishani thotë se punimet e forumit më të lartë të PD ishin një fasadë.

Në qoftë se Partia Demokratike vazhdon të qëndrojë në një proces vetëizolimi dhe margjinalizimi në raport qoftë me komunikimin, qoftë me besimin në opinionin publik, Partia Demokratike do të shkojë drejt një situate akoma më fataliste të zhbërjes apo zbehjes së saj si alternativë qeverisjeje dhe ky është një fatalitet i madh edhe për vendin. Një shok i madh politik që pësoi më 25 Prill, kishte nevojë për një ndryshim radikal për një lëvizje dramatike në kuptimin politik të fjalës në Kuvendin Kombëtar. Nuk mund të bëhesha fasadë e një teatri absurd dhe vendosa që mos të merrja pjesë”.

Kryetari i Këshillit Kombëtar ka kritika për mënyrën se si u zgjodhën anëtarët e rinj, ndërsa shton se ndërprerja e mandatit të tij do të ishte anti-statutore.

Brenda Partisë Demokratike askush nuk mnd të garonte për kryetar partie, nënkryetar partie, anëtar komisie, anëtar të Këshillit Kombëtar, anëtar të departamenteve apo sekretariateve, për kryetar degësh në qoftë se nuk e paraqet në mënyrë publike dokumentin e pastërtisë së figurës. Askush nuk ka të drejtë të ndërpresë mandatin 4-vjeçar. Nëse zoti Basha mendon që ta ndërpresë mandatin 4-vjeçar të kryetarit të Këshillit Kombëtar, do të jetë një vendim anti-statutor, anti-politik”.

Për Nishanin, kryetari I Partisë Demokratike në 8 vite ka ndjekur një strategji politike që ka forcuar pushtetin e kryeministrit Edi Rama.

Aksionet e Partisë Demokratike dhe idetë e Lulzim Bashës i kanë shërbyer për fat të keq konsolidimit politik dhe pushtetit të Edi Ramës. A e ka bërë këtë me qëllim apo pa qëllim, a e ka bërë nga paaftësia apo për shkak të marrëveshjeve, natyrisht janë çështje që kërkojnë analiza edhe më të thella”.

Nishani thekson se PD nuk mund të përqendrohet vetëm në dorën e Bashës, i cili sipas tij, që kur ka marrë drejtimin e kësaj force politke, nuk ka kryer me sukses asnjë mision politik.

Klan News