nishani 11Bashkëjetesa dhe tolerance fetare në Shqipëri është një vlerë e jashtëzakonshme e kombit shqiptar dhe një shembull për t’u marrë  nga vendet e zhvilluara.

Nga Doha e Katarit ku merr pjesë në forumin me temë  “Shtetet e Bashkuara të Amerikës – Bota Islame” presidenti i Republikës, Bujar Nishani  theksoi se ky model është në themel të luftës për liri e pavarësi të shqiptarëve dhe një kolonë ku mbështetet shteti dhe shoqëria shqiptare.

Kreu i shtetit tha se Shqipëria gjithmonë  është udhëhequr nga parimet e fqinjësisë së mirë, paqes dhe stabilitetit në Ballkan, rajon që në dekadën e fundit të shekullit të shkuar u përfshi nga luftrat.

Bujar Nishani – President i Republikës: “Shqiptarët nuk ranë në grackën e “ngjyrimeve fetare” të tragjedisë fundit, gjatë viteve 1990 në Ballkan. Konfliktet e dhunshme, që shoqëruan shpërbërjen jokonsensuale të ish-Jugosllavisë ishin pasojë e politikës shoviniste serbe dhe e ndërthurjes së interesave të vjetra në rajon. Motivet fetare ishin përpjekje për të mbuluar karakterin hegjemonist të një lufte për territore etnikisht të pastra, të shoqëruar me spastrime të tmerrshme etnike. Ata shërbyen, gjithashtu, për të mobilizuar fanatikët, pra, për t`i hedhur benzinë flakëve të luftës.”

Duke bërë një rezyme të marrëdhënies së veçantë shqiptaro-amerikane ndër vite, kreu i shtetit nënvizoi rëndësinë strategjike të të ardhmes së saj. Kreu i shtetit tha se  Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara janë krah për krah në sfidat për lirinë dhe paqen.

Bujar Nishani – President i Republikës: “Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane bazohen në lidhje të forta njerëzore dhe miqësore në një hark kohor më shumë se njëshekullor. Ato janë shumëdimensionale, të pasura dhe jashtëzakonisht dinamike, me ndikim vendimtar për Shqipërinë, politikën amerikane në Ballkan, sigurinë dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon e më gjerë. Vendet dhe popujt tanë ndajnë parime dhe vlera të përbashkëta. Ata janë në një front të përbashkët për të mbrojtur paqen, lirinë dhe demokracinë, kurdo dhe kudo. Ja përse, aleanca dhe partneriteti ynë strategjik janë solidë dhe të paprekshëm nga çdo sfidë.”

Forumi i parë është mbajtur në 2004 dhe me kalimin e viteve kjo platformë komunikimi ka shërbyer për të kuptuar më mirë marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Botës Islame, duke nxitur dialogun mes lidershipit të vendeve muslimane me homologët amerikanë.

TV KLAN